Qeveria e Kosovës ka miratuar draft-buxhetin për vitin 2011-të, i cili do t’i dërgohet Kuvendit për miratim.

Aty parashihet edhe rritja e rrogave për disa kategori, që kryeministri Hashim Thaçi i kishte premtuar gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar.

Sipas draftit, pritet që këtë vit të hyrat në buxhetin e Kosovës të jenë 1 miliard e 264 milionë euro, ndërsa shpenzimet pritet të jenë më të mëdha, dhe kapin shifrën e 1 miliard e 434 milionë euro.

“Do të respektohet plotësisht vendimi i qeverisë për rritjen e pagave, sektorin e arsimit, shëndetësi, policisë, shërbyesve civilë, familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe veteranëve, shërbimi korrektues, zjarrfikësi”, është shprehur Thaçi.

Për rritjen e pagave qeveria e Kosovës nuk ka arritur ndonjë marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar, që kishte sugjeruar një rritje më të vogël, e jo 30 dhe 50%, siç kishte premtuar Thaçi.

Por, zëvëndëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se janë përafruar qëndrimet me këtë institucion ndërkombëtar.

“Mendoj se kemi negociuar dhe kemi përafruar qendrimet, kjo është me shumë rëndësi dhe FMN nuk e hidhëruar në këtë drejtim, por jemi në diskutim dhe përafrim të qendrimeve”, tha Kuçi.

Sido qoftë, Top Channel ka mësuar nga burime të afërta me bisedat që janë bërë ndërmjet FMN-së dhe qeverisë, se mosmarrëveshjet më të mëdha ndërmjet tyre kanë të bëjnë pikërisht me rritjen e pagave dhe se këto bisedime do të vazhdojnë edhe ditëve të ardhshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA