Amnistia, nis faza e dytë e negociatave

11/03/2011 08:00

Tashmë amnistia fiskale nuk do të jetë objekt diskutimi në tryeza forumesh mes bizneseve dhe ekspertëve, por do zhvendoset në nivele më të larta, për të parë më konkretisht rrugët drejt zbatimit të saj.

Në fakt, negociatat mes biznesit dhe zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Financave kishin nisur rreth një vit më parë, por diskutimet ishin më tepër sipërfaqësore, ndërsa tani, kur Kryeministri po e kërkon me ngulm, duket se palët, më saktë ministria, e ka marrë më seriozisht.

Nga ana e tij, biznesi, i përfaqësuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, ka përgatitur një draft paraprak mbi procedurën që duhet ndjekur drejt zbatimit të amnistisë fiskale.

Dokumenti ndodhet në zyrën e ministrit Ridvan Bode, por mesa duket ka ende çështje që duhen diskutuar, pasi nga Financat vijnë informacione se drafti nuk është i plotë.

Alfred Rushaj, zv/ministri dhe kryetari i grupit negociator për palën shtet, është shprehur në jo pak raste se biznesi kërkon amnisti, por nuk shtjellon me detaje se deri ku shkon “falja”.

Kurse kreu i Dhomës, Nikolin Jaka, kreu i grupit tjetër që përfaqëson biznesin deklaron se, drafti i hartuar është në përputhje me strategjitë e ndjekura nga vendet që e kanë zbatuar së fundmi amnistinë.

Megjithatë, burime nga të dyja kampet tregojnë për “Shqip”, se palët kanë rënë dakord në parim dhe tashmë ndodhen në fazën e dytë të diskutimeve, ku do vendosen edhe piketat rreth formulës.

Top Channel