Mbyllet epoka e fshatrave turistikë

10/03/2011 13:10

Kuvendi miratoi një ligj që i jep edhe pronësinë e truallit të gjithë atyre që kanë blerë apartamente në ish-fshatrat tursitikë.

Sipas këtij ligji, pronarët mund ta marrin tokën me cmime deri në 30 për qind më të ulëta se cmimet referencë të qeverisë nëse e kryejnë pagesën brenda një afati të caktuar.

Opozita denoncoi se me këtë ligj qeveria po legalizon pasuritë e ministrave të saj dhe ndëshkon pronarët e vërtetë të tokave.

“Ky është turp, nuk mundet që një deputet të votojë për t’i ulur cmimin vetes. Nuk mundet që t’i ulet cmimi për 20 për qind. Ky është parlamenti i popullit dhe miratimi i këtij ligji nuk e zgjidh problemin”, ka deklaruar deputeti Erjon Brace.

Ministri i Turizmit, Ferdinand Xhaferri tha se fshatrat turistikë u krijuan nga socialistët duke iu referuar deklaratave publike të ish-ministrit socialist të Turizmit, Besnik Dervishi.

“Në vitin 2002, ministri i atëhershëm i Turizmit thotë tek “Zëri i Popullit”: “Vetëm në 2002 qeveria hapi petët e byrekut me dhjam dhe kishte ndodhur që zyrtarë të papërgjegjshëm e kishin trajtuar bregdetin si pronë të babait”. Këtë do të keni, me këtë ligj ne ju shplajmë juve nga pacavuret që keni bërë”, ka deklaruar Xhaferri.

“Nuk ka nisur në vitin 2003, sic thoni ju. Shkrimi është i vitit 2003, por procesi ka nisur në vitin 1993 nga persona përkrah jush. Ky ligj është në konflikt interesi me gjithë këtë sallë. Përjashtojini deputetët dhe ministrat përfitues, kështu do të jeni ballëhapur ndaj shqiptarëve”, ka replikuar Brace.

Në vitin 1993 qeveria miratoi një ligj i cili u jepte të drejtën disa kompanive të ndërtonin fshatrat tursitikë dhe me të drejtën e dhënies me qera të vilave apo apartamenteve.

Por në vitet e mëvonshme procesi u deformua dhe doli jashtë ligjit, pasi kompanitë ndërtuese ndryshuan destinacionin e fshtrave, duke i shitur vilat në treg, shumë prej të cilave janë blerë nga politikanë, apo dhe njerëz të tjerë të lidhur më pushtetin në vite.

Me ligjin e sotëm qeveria u jep të drejtën këtyre individëve që të marrin përfundimisht edhe pronësinë e truallit mbi të cilin janë ndërtuar vilat.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta