Deformimet historike në Himarë

10/03/2011 20:00

“Mendje të caktuara sajojnë ngjarje politike, në një kohë që roli i tyre është ta pasqyrojnë”.

Kështu do të deklaronte në vitin 2007 lidhur me lobin grek në Himarë, kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili sot thotë:

“Duhet të mënjanojmë ata individë ose grupime që duan të shpërqendrojnë vëmendjen nga ky realitet, me ngjarje që s’kanë asnjë lidhje”.

Reagimi i zotit Dule erdhi pas transmetimit të një vëzhgimi të Top Channel mbi faqen zyrtare të internetit të bashkisë së Himarës, ku rreshtohen një sërë deformimesh historike.

Në të dyja rastet, kur është trajtuar nga media mënyra e prezantimit të historisë së Himarës nga bashkia e këtij qyteti, zoti Dule ka akuzuar se këto histori janë trilluar nga mediat.

Por ajo që mbetet është faqja e internetit e bashkisë së Himarës, www.himara.gov.al, të cilën mund ta vizitojnë të gjithë dhe ku historia e Shqipërisë tregohet sikundër ajo nuk është në të vërtetë.

Mjafton të lexosh ato që shkruhen në këtë uebsjat, ku mes të tjerave bie në sy se djali i Skënderbeut quhej Jani dhe jo Gjon, ndërsa Himara konsiderohej si një krahinë me të shkuar autonome që ka kundërshtuar bashkimin me Shqipërinë.

Edhe pse socialistët u tërhoqën nga mbështetja e Bollanos, jo vetëm për shkak të deklaratave të tij, por edhe pas raportit të KLD-së që e akuzon deri në abuzime me tenderin e varrezave të Himares, Vangjel Dule ka theksuar se kandidatura e tij është dhënë sërish për bashkinë e Himarës.

“Mund t’ju them paraprakisht se kandidatura e Bollanos është e dhënë për bashkinë e Himarës në zgjedhjet e 8 majit”, ka deklaruar Dule.

Nuk dihet ende nëse përballja në Himarë, të paktën këtë herë do të jetë reale. Socialistët kanë vendosur të kandidojnë një person që i humbi zgjedhjet në 2007-ën përballë Bollanos.

Ndërsa demokratët, pavarësisht marrëdhënieve të mira dhe shkeljeve të syrit, akoma nuk janë shprehur nëse do të vendosin një kandidat të tyrin përballë tij. në zgjedhjet e kaluara Partia Demokratike mbështeti Bollanon për kryetar bashkie.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta