Bulqizë, të moshuarit mbledhin kromin

10/03/2011 20:05

Qindra familje të varfëra në qytetin e Bulqizës kanë të vetmin burim jetese mineralin e kromit, të cilin e grumbullojnë ku të mundin.

Por stoqet dhe galeritë janë dhënë me koncesion, ose janë zënë nga biznesmenë që në disa raste përdorin edhe forcën.

Më të varfërit shfrytëzojnë vendet jashtë këtyre territoreve të pasura me mineral kromi dhe një prej tyre është shtrati i rrugës se re të Arbërit.

Kompanitë që ndërtojnë rrugën marrin inerte nga stoqet e minierave dhe shtrojnë rrugën. Në këto grumbuj gurësh mblidhen me qindra banorë të Bulqizës që mbledhin mineralin e kromit dhe më pas e shesin sërish.

Firmat që ndërtojnë rrugën tolerojnë duke ndalur punimet për të lejuar mbledhjen e kromit.

Pak muaj më parë, në një situatë të ngjashme një grua 45-vjecare u aksidentua rëndë ndërsa mblidhte kromin pranë mjeteve që punonin për shtrimin e rrugës.

Mbledhësit e kromit, shumica të moshuar, thonë se detyrohen nga varfëria të veprojnë në këtë mënyrë.

“Jemi rëndë, s’kemi gjë, mundohemi këtu. Pension s’marr sepse s’kam bërë moshën”, thotë një prej tyre. “Jemi këtu për copën e bukës. Ca të bëjmë, s’kam asgjë tjetër”, shprehet një tjetër.

Bulqiza është një nga qytetet me popullsi shumë të varfër, por edhe me biznesmenë që pasurohen duke shfrytëzuar punën e banorëve për mbledhjen e kromit.

Për shkak të konflikteve për territore pak muaj më parë ndodhi edhe një përplasje me armë në qendër të qytetit, me pasojë vdekjen e një kalimtari.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta