
Deputeti socialist Taulant Balla ka deklaruar se përjashtimi i tij nga një seri seancash parlamentare ka ardhur si pasojë e denoncimit të korrupsionit në qeveri.
“Ndëshkimi im ka ardhur pasi unë në Kuvend kam paraqitur prova për korrupsionin e tejskajshëm të kësaj qeverie. Nëse nxjerr prova në Kuvend ndëshkohesh, pasi kjo mazhorancë nuk do të pranojë se është e zhytur në korrupsion”, ka pohuar Balla.
Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Balla ka dhënë detaje edhe mbi hetimin e veprimtarisë së Kuvendit që synon të bëjë PS.
“Është dashur të hartohet një element i plotë për të hedhur dritë mbi dicka të errët, që në cdo raport të BE është thënë qartë: keqmenaxhim me fondet, keqmenaxhim i punës. Prandaj kemi bërë kërkesë për ngritjen e një komisioni”, ka deklaruar Balla, i cili ka dhënë garancinë e tij se PS zotëron prova konkrete që vërtetojnë këto akuza.
“Faktet janë aq të vërteta, saqë Topalli do të bëjë gjithcka për ta bllokuar këtë nismë. Ka fakte që jo vetëm do të rrezikonin karriken e Topallit, por edhe atë të Saliut”, ka theksuar Balla.
Më tej deputeti socialist ka hedhur poshtë zërat për një bojkot të mundshëm të zgjedhjeve të 8 majit nga opozita.
“Në asnjë moment PS nuk ka vënë në dyshim përballjen politike me palën tjetër, kudo qoftë ajo. Zgjedhjet lokale janë një hap në përballjet elektorale, qofshin edhe të përgjithshme. I vetmi njeri që ka pasur ëndrra për mospjesëmarrjen e PS në zgjedhje është Berisha”, ka thënë Balla.
Ai ka shtuar më tej se më tepër sesa datën e zgjedhjeve, opozita e majtë është e fokusuar tek implementimi i standarteve të tyre, gjë që sipas tij është në dyshim.
“Ne, më tepër sesa tek data, jemi fokusuar tek standarti. Pas një palë zgjedhjesh të vjedhura, pas të cilave mungoi transparenca, dështoi edhe Kuvendi në të drejtën themelore për të hedhur dritë në këtë proces zgjedhor. Për rrjedhojë cështja e standarteve është në dyshim”, ka shtuar Balla, i cili është shprehur i bindur se mazhoranca e drejtuar nga Sali Berisha do të humbasë më 8 maj.
Top Channel