
Barcelona do të përpiqet të konsifirmojë statusin e atribuar si skuadra më e fortë e sezonit në Europë, duke mposhtur Arsenalin, për të fituar një vend në çerekfinalet e Champions League.
Katalanasit do të presin sot në mbrëmje londinezët në “Camp Nou”, të sigurt mbi mundësitë e tyre për përmbysjen e humbjes 2-1 të ndeshjes së parë. Pavarësisht se dueli është përcaktues për sezonin e të dy ekipeve, Guardiola dhe Wenger ruajnë qetësinë përpara sfidës.
”Kam shumë respekt për Wenger-in dhe nuk është një rastësi që ata prej shumë vitesh kualifikohen gjithmonë në Champions. Arsenali është një skuadër shumë e fortë, prandaj nuk do të jetë aspak e thjeshtë, ndonëse ne besojmë tek shanset tona”, deklaroi Guardiola.
I pyetur për mungesat e rëndësishme të kundërshtarit, trajneri spanjoll uroi që Van Persie dhe Fabregas të jenë në gjendje të rikuperohen në kohë, “pasi kështu sfida do të ishte më e bukur dhe nuk do të kishim një avantazh të padrejtë”.
Ai harroi se Arsenali do t’a ketë gjithsesi këtë avantazh, me dyshen në qendër të mbrojtjes, Pique dhe Puyol, të paaftë për të luajtur.
Nga ana e tij, Wenger u shpreh gjithashtu i qetë kur u paraqit në konferencë për shtyp gjatë mesditës. “Mendoj se skuadra ka mësuar nga humbja 4-1 dhe gjithashtu jemi më të fortë se vjet”, deklaroi ai, duke iu referuar rezultatit që kualifikoi Barçën në çerekfinale, kur të dy ekipet u ndeshën gjithashtu në sezonin e shkuar.
”Van Persie? Do t’a dimë vetëm gjysmë ore përpara se të nisë ndeshja nëse do të jetë në gjendje të luajë. Çfarë ndeshjes pres? Besoj se do të jetë një ndeshje me shumë pak hapësira për të dy ekipet, edhe pse është e qartë që ne do të vazhdojmë të luajmë me filozofinë tonë të zakonshme, do të sulmojmë për të kërkuar golin”.
Ndërkohë, janë publikuar edhe formacionet e mundshme me të cilin pritet që të dy skuadrat të zbresin në fushë, në ndeshjen që do të nisë të luhet në orën 20:45:
Barcelona (4-3-3): Valdes; Alves, Busquets, Abidal, Maxwell; Mascherano, Iniesta, Xavi; Pedro, Villa, Messi. Tr. Guardiola
Arsenal (4-4-2): Szczesny; Sagna, Koscielny, Djourou, Clishy; Diaby, Wilshere, Eboue, Fabregas; Arshavin, Chamakh. Tr. Wenger.
Top Channel