Allegri: Të përmbysim një rezultat të rremë

08/03/2011 17:00

Ndeshja e nesërme në “White Hart Lane”, në Londër, do të jetë përcaktuese për fatet e këtij sezoni për Milanin.

Kryesuesët e Sërisë A nisen të pafavorizuar për një vend midis tetë më të mirëve të Europës, pas humbjes së pësuar më parë në fushën e tyre. Megjithatë, trajneri Massimiliano Allegri, shpreh besim tek shanset e kualifikimit.

”Ne kemi një skuadër shumë të fortë, e cila është mirë fizikisht dhe mendërisht. Për këtë arsye, jemi të sigurt që mund t’ia dalim mbanë dhe të fitojmë”, tha Allegri përpara nisjes së tij për në Londër.

”Në ndeshjen e parë, humbëm një ndeshje të çuditshme. Në pjesën e parë nuk ishim në nivelin e duhur, por në të dytën dominuam. Pësuam gol në momentin tonë më të mirë.

Nuk është e drejtë të flasim për një përmbysje historike përpara ndeshjes së Tottenhamit. Rezultati i ndeshjes së parë është i rremë dhe futbollistët e kuptuan nga ajo që panë në fushë se janë në gjendje të fitojnë ndaj tyre”.

Megjithatë, Allegri thekson se besimi nuk duhet ngatërruar me nënvlerësim. “Tottenhami është një skuadër e fortë, me futbollistë të rëndësishëm dhe shumë e aftë veçanërisht në mbrojtje dhe në sulm. Ata kanë bërë një punë shumë të mirë deri tani në Champions League”.

Për të përmbledhur fjalët e Allegri-t, nuk do të jetë e thjeshtë, por as e pamundur, edhe pse kuqezinjtë do të jenë të detyruar të luajnë në këtë ndeshje pa Van Bommel, Emanuelson, Cassano, Gattuso, Boateng, Pirlo, Ambrosini e Inzaghi, ndërsa Spërsave u është rikthyer ylli i tyre, Gareth Bale.

Top Channel