
Hamdi Salihi rikthehet të bëjë protagonistin në fushë me Rapidin e Vjenës, por këtë herë me një dopjetë të shënuar për koinçidencë ndaj ish-skuadrës së tij, SV Riedit, e cila e bëri të njohur në kampionatin austriak.
Takimi përfundoi me rezultatin 2-0, ku të dy golat mbajnë firmën e sulmuesit shqiptar në sytë e 14 600 tifozëve në “Hanappi Stadion”. Salihi realizoi në minutën e 15 pas një asisti të Hofman. Pak pas rifillimit të pjesës së dytë (46’) ai realizon me kokë edhe golin e dytë.
Në katër ndeshjet e fundit Salihi është aktivizuar në total 59 minuta, edhe pse është golashënuesi më i mirë i Rapidit në këtë sezon. Venegoor of Heselink, Atdhe Nuhiu dhe Rene Gartler ishin të preferuarit e trajnerit gjatë kësaj kohe. Prandaj Salihi duhej të shfaqte pakënaqësi, pasi kishte përfunduar sulmuesi i katërt i skuadrës. Për të ishte një situatë e vështirë.
“Është e bukur kur skuadra jote fiton dhe ti shënon dy gola. Unë nuk e kam humbur kurrë besimin te vetja. Stërvitem mirë, jap maksimumin. Trajneri është ai që vendos dhe në tri ndeshjet e fundit nuk më ka aktivizuar. Ka qenë zgjedhje e trajnerit. Nuk kam pasur asnjë gjë personale me të. Tre ndeshjet e para ai i ka menduar t’i luajë me tjetër lojtar. Sot ma dha mundësinë dhe unë e shfrytëzova”, u shpreh Salihi.
Ndaj Riedit është ai që i dhuron Rapidit 3 pikët dhe gjithashtu trajnerit Peter Pakult i siguron vendin në stol. Në verën e 2009-s Salihi u mor nga SV Ried.
“Salihi i njihte shumë mirë lojtarët e ish-klubit të tij, tha trajneri Pakult. Por unë nuk e aktivizova vetëm për këtë. Shpresoja që ai të kishte nuhatje për raste të tilla. Ky është instinkti i një sulmuesi. E rëndësishme është që ai të jetë i qetë, edhe pse nuk shënon”, tha Pakult pas ndeshjes.
Me vjenezët në 45 ndeshje ka shënuar 26 gola, një numër absolutisht i lartë. Me dy golat e djeshëm arrin kuotën e 12 golave, duke u pozicionuar i treti në listën e golashënuesve më të mirë të këtij sezoni në kampionatin austriak.
Top Channel