Francë, nis gjyqi ndaj ish-presidentit Chirac

07/03/2011 15:05

Nisi sot gjyqi ndaj ish-Presidentit të Francës, Jacques Chirac, për shpërdorimin e fondeve publike, në kohën kur ishte Kryebashkiak i Parisit.

Sipas prokurorisë, ai ka paguar pozicione të paqena pune, në periudhën 1977-95, për të shpërndarë fonde për fushatën dhe për mbështetësit e tij.

78-vjeçari i ka mohuar të gjitha akuzat. Ndërkohë, mediat franceze kanë sjellë në kujtesë se ky është gjyqi i parë ndaj një drejtuesi të lartë shteti, që në kohën kur feldmarshalli Philippe Petain u dënua për tradhëti pas Luftës së Dytë Botërore.

Në bazë të ligjit francez, një ish-president nuk mund të detyrohet të paraqitet në gjykatë, por Chirac ka konfirmuar prezencën e tij në seancën e nesërme.

Për më shumë se 20 vjet, Chirac i ka shpëtuar këtyre akuzave i mbrojtur nga imuniteti. Ekzistojnë zëra se ai mund të mos jetë në gjendje të përballojë gjyqin deri në fund, pasi spekulohet se është prekur nga alzaimeri.

Top Channel