
Dy muaj nga tetë maji, ekzistojnë ende shumë pikëpyetje mbi kandidatët e dy blloqeve të mëdha politike në shumicën e bashkive dhe komunave të vendit.
Partia Socialiste duket më e qartë në qytetet e mëdha, ku pritet të rikandidonjë kryetarët aktualë të bashkive, të fituara në zgjedhjet e 2007-ës.
Nga këto zgjedhje ka ndryshuar qëndrimi i LSI, dikur në aleancë me opozitën, sot në koalicion me Partinë Demokratike.
Në disa qytete dueli do të jetë pikërisht mes dy kandatëve të forcave të majta. Në qytete si Elbasani, Pogradeci, Përmeti, Lushnja e ndoshta edhe Fieri, dueli me shumë gjasa do të jetë mes kandidatëve PS-LSI.
Në Elbasan për socialistët është thuajse i sigurt rikandidimi i Qazim Sejdinit, që do të gjejë përballë ish-socialistin dhe ish-deputetin e këtij qyteti tashmë me LSI, Durim Hushi.
Në Lushnje socialistet ende nuk kanë vendosur, ndërsa aleanca qeverisëse do të ketë kreun aktual të bashkisë dhe përfaqësues të LSI, Albert Sanxhakun.
Partia Socialiste do të ketë në start të 8 majit edhe Niko Peleshin, kreu aktual i bashkisë Korcë, ashtu si në Vlorë Shpëtim Gjikën.
Në të dyja rastet, përballë do të jenë kandidatë të Partisë Demokratike të mbështetur edhe nga aleatët e saj.
Në Korcë përflitet emri i prefektit aktual Andrea Mano, ndërsa në Vlorë, gjithmonë në trajtën e diskutimeve, ai i deputetit demokrat të këtij qyteti, Ardian Kollozi.
Partia Demokratike nuk ka lëshuar Durrësin, pavarësisht këmbënguljes së LSI në negociata për të patur në këtë qytet kandidatin e saj, e që përflitej të ishte Lefter Koka.
Por deri tani demokratët nuk kanë bërë ende publik një emër konkret, ndërsa emrat e përfolur janë të Igli Carës dhe Ferdinand Xhaferrit.
Nga ana e tyre, socialistët do të kandidojnë sërish Vangjush Dakon. Në Pogradec opozita do të rikandidojë Artan Shkëmbin, që do të përballet me një kandidat të LSI e që duket se do të jetë Luan Topciu.
Një tjetër përballje e fortë konsiderohet Gjirokastra, ku socialistët ende nuk kanë mbyllur diskutimet për rikandidimin e Flamur Bimes, ndërsa PD nuk ka ende emrin që do të vërë përballë tij.
Në Shkodër demokratët do të rikandidojnë me shumë mundësi sërish Lorenc Lukën, ndërsa emri i PS është ende enigmë.
Në Berat mendohet rikandidimi i kreut aktual socialist Fadil Nasufi përballë një kandidati ende të pazbuluar të Partisë Demokratike.
Fieri mund të propozojë një duel tjetër LSI-PS. Socialistët po mbështeten në diskutimin mbi Arjon Mucajn dhe kreun aktual Baftjar Zeqaj, ndërsa koalicioni qeverisës po diskuton mbështetjen ndaj prefektit dhe anëtarit të LSI, Bujar Hasa.
Edhe Tirana, qendra më e rëndësishme e vendit, po jeton me kandidatë gjysmë zyrtarë. Dueli kryesor dhe me interesant pritet që të sjellë përballë Lulzim Bashën, tashmë një hap pranë kandidimit, pas deklaratave të kryeministrit Berisha, dhe me shumë gjasa sërish Edi Ramën, edhe pse socialistët kanë diskutuar një numër emrash të tjerë, mes të cilëve edhe Pandeli Majko.
Top Channel