Opozita maqedonase po shkon drejt bojkotimit të zgjedhjeve, duke akuzuar kryeministrin Gruevski si fajtor për mosplotësimin e kushteve të saj.
Këtë e ka bërë të ditur Gjorgji Orovcanec në emër të Frontit të Bashkuar të partive opozitare maqedonase.
“Nëse kryeminstri mendon të realizojë zgjedhje pa përmbushur kushtet tona, qendrimi ynë është i qartë: në zgjedhje të tilla partitë e frontit opozitar nuk do të marrin pjesë. Rrezikun e merr ai që organizon zgjedhjet dhe në këtë rast ai është Gruevski që nuk dëshiron të shkojë në zgjedhje demokratike”, deklaroi përfaqësuesi i Frontit të Bashkuar opozitar maqedonas, Ovocanec.
Ndërkohë opozita shqiptare po përgatitet për fushatë dhe PDSH ka bërë thirrje për bashkimin e frontit shqiptar. Kësaj nisme deri më tani i është bashkuar vetëm subjekti politik Lidhja Shqiptare.
“Të gjithë shqiptarët të cilët mendojnë se Cervenkovski dhe Gruevski përfundimisht duhet të ndryshojnë politikën e tyre, duhet të votojnë Partinë Demokratike Shqiptare”, deklaroi kreu i PDSH-së, Menduh Thaci.
Por faktorit politik shqiptar i shtohet edhe një tjetër parti. Kreu i Komunës së Gostivarit, Rufi Osmani tha se brenda kësaj jave do të njoftojë themelimin e partisë më të re shqiptare.
Top Channel