
Dinamo fitoi një biletë për në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, pas një ndeshje dramatike me Shkumbinin, të fituar vetëm në gjuajtet e 11-ta të penalltive, ndërsa Tirana gjithashtu përmbysi disavantazhin e Ballshit.
Besa dhe Vllaznia janë dy skuadrat e tjera që siguruan prezencën e tyre midis në katërshe. Në ndeshjen e luajtur në “Qemal Stafa”, miqtë peqinas kaluan të parët në avantazh.
Dinamo u përgjigj me dy gola në pjesën e dytë, njëri prej të cilëve në minutën e pestë shtesë. Pas fitores së Shkumbinit 2-1 në fushën e tij, ndeshja shkoi me kohë shtesë dhe Dinamo u kualifikua me rezultatin 9-8, në gjuajtjen e penalltive.
Tirana fitoi 5-1 në “Selman Stërmasi” më parë gjatë drekës, duke përmbysur fitoren e arritur prej Bylisit në Ballsh. Barazimi 2-2 në Kavajë midis Besës dhe Skëndërbeut kualifikoi kavajasit, që kishin fituar më parë 3-1 në Korçë.
U kualifikua në gjysmëfinale edhe Vllaznia, e cila fitoi 4-2 në Laç, pasi kishte fituar edhe ndeshjen e parë, 2-0 në “Loro Boriçi”.
Top Channel