Korcë, buka më shtrenjtë

02/03/2011 15:50

Brenda dy muajve cmimi i bukës u rrit me 30 lekë në qytetin e Korcës. Një bukë 800 gramëshe kushton 100 lekë, duke pësuar një rritje të cmimit për të tretën herë radhazi për këtë vit.

Shtrenjtimi ka ndodhur paralelisht në të gjitha furrat e bukës, të cilat kane rritur cmimin për cdo produkt me 10-20 lekë, në vartësi të peshës.

Kjo rritje cmimesh kontestohet nga qytetarët për faktin se me të ardhurat e pakta nuk përballohet dot shtrenjtimi i ushqimeve në treg.

“1 mijë e bleva bukën, na i bënë rrumbullak. Ne nuk i përballojmë dot, këta e ngrenë përditë bukën”, deklaron një pensionist.

“Është shtrenjtë, shumë shtrenjtë. S’e përballojmë dot. Buka është e përditshme, ndërsa me të tjerat manovron”, thotë një tjetër.

Nga ana e tyre prodhuesit e bukës e justifikojnë rritjen e cmimit me shtrenjtimin e miellit.

Top Channel