Asistenca, kushte më të forta

02/03/2011 15:55

Në skemën e re të ndihmës ekonomike do të përdoren kritere të forta për seleksionimin e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike.

Nëse kjo familje ka një person emigrant, apo ka dikë të punësuar qoftë edhe me periudha të shkurtra, përjashtohet menjëherë nga skema.

Zevendësministri i Punës, Kastriot Sulka ka sqaruar para komisionit të punës, se janë 3 mijë persona që do të përjashtohen nga kjo skemë.

“Keni njeri në punë? Po kam, dilni nga skema. Nëse thotë jo, vazhdojnë pyetjet e tjera. Po, ose jo, kjo të skualifikon. Familjet në nevojë nuk e kamuflojnë dot. Dikush mund ta ketë fëmijën në emigracion, por nuk e thotë. Nuk mund të lejojmë njeri jashtë skemës, ja pse fusim pikët”, ka deklaruar Sulka.

Por sipas opozitës, skema me kritere të reja të ndihmës ekonomike nuk zbut varfërinë ekstreme.

“Sot, me 4230 lekë mund të paguash vetëm bukën, dritat dhe ujin, pastaj mbarojnë lekët”, ka deklaruar deputeti socialist Ilir Beqja.

Në komision është debatuar ashpër mbi llogaritjen e varfërisë ekstreme në Shqipëri, e cila në bazë të të dhënave të INSTAT është rreth 2 dollarë në ditë, si dhe për vendimin që lista e familjeve që përfitojnë asistencë të mos hartohet më nga pushteti lokal, por nga qeveria.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA