
Nga qyteti i Vlorës, ku zhvilloi një seri takimesh me drejtuesit e pushtetit lokal, ambasadori amerikan Alexander Arvizu iu rikthye ngjarjeve të 21 janarit, të cilat i cilësoi të tmerrshme për vendin dhe deklaroi se atë ditë nuk duhet të kishte viktima.
“Në opinionin tim ata nuk duhet të kishin vdekur. Kishte mbi 100 të plagosur, kishte qytetarë dhe kishte policë. Dhe nëse e shikoni videon, në fillim të demonstratës, duket qartë se policia u sulmua”, deklaroi Arvizu.
Arvizu theksoi se është e rendësishme për të dhe për Shtetet e Bashkuara që hetimi po zhvillohet.
“Prokuroria duhet lënë të hetojë në mënyrë te paanshme. Me anë të ftesës së prokurores, ne si ambasadë po japim ndihmesën tonë për të ndihmuar ekipin. Ne kemi punuar shumë ngushtë me të dhe me të vërtetë e mbështesim shumë, në mënyrë që ky hetim të bëhet sa më shpejt”, theksoi Arvizu.
“Është shumë e rëndësishme që ky hetim të bëhet në mënyrë të drejtë, të llogjikshme dhe sa më shpejt. Gjithashtu, është e rëndësishme që ky hetim të vazhdojë pa ndërhyrje. Dhe kjo u tha në mënyrë jashtëzakonisht të qartë nga zëvendëssekretari i Shtetit, Steiner, që ishte për vizitë javën që shkoi”, nënvizoi ai.
“Të përmirësohen zgjedhjet”
Duke folur për zgjedhjet e 8 majit, Arvizu tha se ato duhet të zhvillohen në datën e caktuar dhe duhet të evitojnë problemet e 2009-ës.
“Shtetet e Bashkuara kanë ndjekur dhe mbështesin faktin që është shumë e rëndësishme që këto zgjedhje të mbahen në 8 maj, sic e kërkon dhe Kushtetuta shqiptare. Dhe për mua është e rëndësishme dhe me shumë kuptim ta them këtë jashtë Tiranës, në Vlorë, sepse është një mundësi për qytetarët, në rastin tonë të Vlorës, të zgjedhin drejtuesit e tyre. Para 20 vjetësh shqiptarët larguan komunizmin dhe nuk duan ta shohin atë përsëri. Populli shqiptar ka fituar të drejtën për të zgjedhur drejtuesit, liderët e tij”, pohoi Arvizu.
“Ne e dimë dhe jemi të gjithë koshientë që ka patur disa probleme dhe më parë në lidhje me zgjedhjet. Por, ja që edhe në Amerikë kemi probleme. Gjëja më e rëndësishme është që këto zgjedhje të jenë më të mira sec kanë qenë. Edhe zgjedhjet e 2013-ës duhet të jenë më të mira sec kanë qenë ato të 2011-ës. Ato vetëm duhet të përmirësohen dhe të bëhen më të mira, vetëm nëqoftese njerëzit punojnë që ato të jenë më të mira. Dhe shqiptarët e meritojnë të kenë zgjedhje të tilla”, u shpreh diplomati amerikan.
Top Channel