
Një kilene u paraqit sot në gjykatë, për t’u përballur me akuzat, pasi shtyu nisjen e një avioni duke dhënë një alarm të rremë për bombë.
Gruaja rrezikon të dënohet me dy muaj burgim, pasi kreu gjestin e dëshpëruar për të mos lejuar të dashurin e saj që të largohej.
I quajtur Rodrigo Gomez, njeriu me të cilin kilenia kishte një raport, ndodhej në bordin e avionit që do t’a transportonte nga Kili në Spanjë, ku kishte gjetur një vend pune si kamarier në një anije turistike.
Ai do të qëndronte disa muaj larg, shumë për të dashurën e tij. Ajo e shoqëroi deri në aeroport, por kur e pa të ngjitej në avion, telefonoi dhe i tha përgjegjësve të fluturimit se babai i Gomezit kishte pësuar një infarkt.
Pasi rengu nuk funksionoi, ajo telefonoi përsëri, këtë herë për të thënë që një bombë ishte vendosur në avion. Avioni ishte gati për t’u nisur, kur pilotët parkuan në një pjesë të largët të aeroportit dhe pasagjerët u evakuan me shpejtësi.
Për fatin e saj të mirë, gruaja arriti të bindte të dashurin që të mos nisej më për në Spanjë, por autoritetet e idenfikuan dhe tani ajo përballet me mundësinë që të dënohet dy muaj burg dhe me një gjobë deri 50 mijë euro.
Top Channel