4.5 vjet burg për Liliana Kondakçi

02/03/2011 14:00

Liliana Kondakçi, këngëtare e njohur shqiptare, dënohet me 4.5 vjet burg për trafik droge. Vendimi erdhi pasi prokuroria në pretencën e saj kërkoi jo më pak se tetë vjet heqje lirie për 59-vjeçaren nga Shqipëria.

Zbulimi i drogës që përfshiu këngëtaren e njohur të muzikës së lehtë shqiptare, u bë në operacionin e koduar të policisë italiane, “Shkodër”.

Vendimin e ka dhënë të hënën gjykata në Catanzaro. Gjyqtari i çështjes, Assunta Maiore e ka deklaruar Kondakçiun fajtore vetëm për akuzën e bashkëpunimit në grup kriminal, të finalizuar në trafik lëndësh narkotike, duke pranuar kështu kërkesën e avokatit të saj, Giorgio Pisani.

Në këtë mënyrë ranë katër akuza, mes të cilave edhe posedimi e përdorimi i armëve të zjarrit. Prokurori Vincenzo Luberto kërkoi tetë vjet heqje lirie, por gjyqtari e hodhi poshtë këtë kërkesë.

Këngëtarja Liliana Kondakçi është arrestuar nga policia e Selanikut në Greqi, në fillim të prillit të vitit të kaluar. Kondakçi u arrestua në një banesë, e cila ishte marrë me qira prej disa të afërmve të saj.

Policia deklaroi se në ngarkim të 59-vjeçares kishte dalë një urdhër arresti i prerë pas vendimit të Gjykatës së Selanikut që e shpallte person në kërkim për qëllime ekstradimi.

Kondakçi u kap në vitin 2006 me 3 kg heroinë gjatë operacionit të quajtur “Shkodër” dhe më pas u ndalua po në 2008 në këtë shtet, në bazë të urdhrit të prokurorisë.

Sipas dosjes hetimore të prokurorisë italiane theksohet se Kondakçi thirrej me pseudonimin “Mamaja”, ose “Këngëtarja”. Nga operacionet në Itali u kapën 500 kg heroinë dhe kokainë, pjesa më e madhe e së cilës vinte nga Shqipëria.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA