
Qendra e re e shërbimit për tatimpaguesit në Tiranë, e inauguruar nga kryeministri Sali Berisha dhe ambasadori amerikan Alexander Arvizu, është një nga projektet e financuara nga Shtetet e Bashkuara si pjesë e programit në prag të sfidës së mijëvjeçarit. (UPDATE)
Me 19 sportelet e shërbimit të klientëve, me një sistem të teknokogjisë moderne, duke u lidhur në rrjet me bazën e të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe të gjitha zyrave tatimore, qendra ka për qëllim t’u ofrojë tatimpaguesve një shërbim më të mirë, t’u ofrojë atyre informacion dhe të pakësojë rradhët, duke u kursyer kohë bizneseve.
“Kjo qendër ka ndihmuar rreth 50 mijë vizitorë në tre muajt e parë të funksionimit të saj dhe shërben si një garanci për një thithje gjithnjë e më të madhe të konsultimeve të të gjithë të interesuarve duke bërë komunikimin midis tatipaguesve dhe administratës tatimore më transparent dhe efikas”, është shprehur ministri Ridvan Bode.
“Kjo qendër mund të jetë një model sesi insitucionet e tjera qeveritare mund të rrisin efikasitetin e tyre, transparencën dhe cilësinë e shërbimin ndaj shqiptarëve. Gjatë katër viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara dhe qeveria e Shqipërisë kanë zhvilluar dhe zbatuar në mënyrë të suskessshme një seri reformash në sektorin e administratës publike për të përmirësuar mjedisin e biznesit, për të rritur investimet dhe për të luftuar krimin financiar dhe korrupsionin. Sondazhet e kryera nga shoqëria civile tregojnë në mënyrë konstante se kënaqësia e klientëve nga të gjithë këto reforma ka qenë shumë e lartë. Suksesi i këtyre reformave është njohur gjerësisht nga organizatat ndërkombëtare, përfshirë Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Kombet e Bashkuara. Në veçanti, përfitimet e qeverisjes elektronike dhe lidhja në rrjet e mjediseve që ofrojnë shërbim për klientin, për bizneset shqiptare, po përmirësojnë zhvillimin politik dhe ekonomik të Shqipërisë”, deklaroi ambasadori amerikan Arvizu.
“Në rast se bëjmë një analizë tani pas katër vitesh, të një pune intensive, unë mendoj se këto projekte përfaqësojnë, ndër sukseset më të shkëlqyera që mund të jenë arritur. Ne nisëm projektet e prokurimeve elektronike në një kohë kur Shqipëria, kishte një sistem në të cilin mbi 70% e prokurimeve bëheshin pa tender dhe direkt. Me një punë të përbashkët dhe bashkëpunim të shkëlqyer me USAID-in, ne arritëm të bëhemi vendi i parë në botë me prokurimet elektronike. Pra transformuam një sistem të tërë dhe nderuam dhe paratë e taksapaguesve të vendit tuaj”, theksoi kryeministri Berisha.
Për kreun e qeverisë, ndihma amerikane prej 15 milionë dollarësh nga programi i pragut të sfidës së mijëvjeçarit është një nga projektet kyçe për luftën kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal, duke mbledhur në 4 vjet 5.2 miliardë lekë më shumë, të cilat janë shndërruar në rritje rrogash dhe pensionesh si dhe në investime publike.
Top Channel