
Në qytetin e Pukës, problemi më i madh nuk është dimri dhe dëbora që izolon gjithë zonën me javë të tëra, por papunësia dhe varfëria e madhe.
Skamja është ulur këmbëkryq në këtë qytet të vogël ku mbi 50 përqind e personave të aftë për punë s’kanë ku të punojnë.
Rrugëzgjidhja e vetme për këta banorë është emigrimi ose punësimi në shtet.
Ky është Enver Islami, familja e tij prej 5 anëtarësh jeton vetëm me ndihmën ekonomike e cila është e pamjaftueshme edhe për të siguruar vetëm ushqimin.
“Kam marrë më parë 60 mijë (të vjetra) lekë në muaj, e kanë bërë 30 mijë lekë. As vetë nuk e di çfarë bëhet. Me 30 mijë lekë marr vetëm një thes miell. Qeranë kam për ta paguar, lekë s’kam. Të paguaj qeranë, dritat apo ujin, nuk di nga të shkoj”, thotë Enveri.
Dëbora dhe temperaturat e ulëta të këtyre ditëve duket se u ka vështirësuar dhe më shumë jetesën këtyre banorëve.
“Jetoj me ndihmë ekonomike që shkon vetëm 40 mijë lekë, kujt do t’i dalim përpara. I bëj thirrje shtetit të më ndihmojë se është gati duke më rënë shtëpia brenda dhe fëmijët i kam të sëmurë”, shprehet Sadije Halili, banore e zonës.
Për drejtuesit e pushtetit lokal e gjithë kjo situatë është për shkak të një mungese të strategjisë së zhvillimit kombëtarë për zonat malore.
“Situata ka ardhur duke u përkeqësuar. Problemi kryesor në këtë qytet është fenomeni i papunësisë dhe i varfërisë, të cilat janë të lidhura njëra me tjetrën. Papunësia është në kufijtë e 50 përqindëshit dhe kuptohet që problemet sociale janë jashtëzakonisht shqetësuese. Mbi 25% e familjeve janë me ndihmë ekonomike, kur dihet se kjo ndihmë është në pragun kritik”, deklaroi kryetari i Bashkisë së Pukës, Rustem Struga.
Top Channel