Konkurrenca: Tregjet të dominuara

01/03/2011 19:45

Rikthimi i krizës së çmimeve ka ndezur edhe njëherë debatin shumë të ndjeshëm për publikun, mbi atë se cilat janë shkaqet dhe si mund të administrohet kjo situatë për të mbrojtur qytetarët.

Përtej akuzave politike, fakt është se tregjet më të ndjeshme në vend kanë probleme të mëdha me mungesën e konkurrencës.

Top Channel i referohet dhjetëra vendimeve zyrtare të autoritetit të konkurrencës, institucioni që ka përgjegjësinë ligjore për të mbrojtur qytetarët nga abuzimet e tregtarëve.

Brenda një periudhe të shkurtër kohore, autoriteti ka provuar se shumë tregje, kryesisht ato ushqimore, të cilat prekin direkt qytetarët, janë monopole dhe tregtarët abuzojnë me çmime të larta.

Ky është vendimi i datës 28 tetor 2010, ku autoriteti konstaton se tregu i importit të sheqerit përbëhet nga dy ndërmarrje, që zënë 87 përqind të tij dhe reflekton një indeks të lartë përqëndrimi.

E njëjta situatë është edhe në tregun e orizit, për të cilin autoriteti thotë se tregu është shumë i përqëndruar dhe dominohet vetëm nga tre ndërmarrje.

Në këtë vendim tjetër të po të datës 28 tetor 2010, autoriteti konstaton se tregu i vajit vegjetal është shumë i përqëndruar.

Më parë autoriteti është shprehur zyrtarisht për dominim edhe në tregjet e karburanteve dhe të gazit.

Edhe këto produkte mjaft të ndjeshme për qytetarët.

Dhe në të gjitha rastet, tregu jo vetëm që është i përqëndruar, por sipas autoritetit ka përqëndrim maksimal.

Kjo është një nga arsyet kryesore se pse konsumatorët shqiptarë përballen me çmime të rritura.

Kjo gjendje në tregje vazhdon prej vitesh, një situatë kjo që ngre dyshime se të paktën deri tani, qeveritë në rastin më të mirë kanë qenë të pafuqishme për t’i luftuar monopolet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA