
Fletët e votimit të zgjedhjeve të 8 majit shkaktuan jo pak kokëçarje teknike në mbledhjen e radhës së Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Por në fund, Komisioni mbajti parasysh propozimin e anëtarit Klement Zguri.
Zoti Zguri prozoi që në mungesë të anëtarëve në pakicë të KQZ-së të ruheshin të njëjtat të dhëna teknike dhe elementë të sigurisë si ato për fletët e zgjedhjeve vendore 2007 dhe ato të përgjithshme 2009.
Në atë kohë të dhënat teknike për fletët u përcaktuan me votën unanime të anëtarëve të KQZ-së.
U la për t’u diskutuar në mbledhjet e ardhshme vetëm ngjyra e fletëve të votimit dhe vendosja e një shiriti me ngjyrë në anën e pasme të fletës së votimit, që është në ngjyrë të bardhë.
Në momentin e votimit ky shirit do t’ua bënte më të lehtë zgjedhësve identifikimin e fletës për ta futur në kutinë e duhur.
Për zgjedhjet vendore votohet me dy kuti, një për kryetarin e bashkisë apo komunës dhe një kuti tjetër për këshillat bashkiakë apo komunalë.
Kurse në kryeqytet ka katër kuti, sepse shtohen edhe kutitë për kryetar dhe këshilltarë të minibashkive.
Do të mjaftonte një moment pakujdesie që një fletë e rregullt votimi të futej në kutinë e gabuar, për ta shpalluar votën të pavlefshme.
Për arsye se votohet edhe për kryetarët edhe për këshilltarët e njësive vendore, numri i fletëve të votimit në zgjedhjet vendore është 2 herë më i madh sesa në zgjedhjet parlamentare.
Kjo është një nga arsyet që ka rritur buxhetin e zgjedhjeve të ardhshme me 150 milionë lekë më shumë sesa ishte parashikuar nga qeveria.
Një arsye tjetër, është përmirësimi i cilësisë së regjistrimit të kamerave, që u përdorën për herë të parë në 2009-n dhe u kritikuan për cilësinë jo të kënaqshme të tyre.
KQZ synon blerjen e disa pajisjeve shtesë për përmirësimin e këtij shërbimi, sjellen e sinjalit në KQZ-së dhe për herë të parë, realizimin e një ndërlidhjeje audio me 66 qendrat e numërimit në rang vendi.
Detajimet e buxhetit, por edhe një analizë e punës 1 vjeçare të KQZ-së gjenden në raportin vjetor 2010 që do t’i paraqitet këto ditë parlamentit.
Top Channel