Gazetari i njohur italian Roberto Saviano ka deklaruar se me deklaratat e bëra dy vjet më parë për emisionin “Shqip”, mbi krimin e organizuar shqiptar dhe Kosovën ka zemëruar por edhe bërë për vetë diasporën shqiptare.
“Kam pasur shumë reagime nga shqiptarët, shumë të inatosur, disa të tjerë solidarë. Shumë shqiptarë të diasporës thanë: më në fund dikush që tregon fytyrën e errët të dinamikës së Shqipërisë. Ndërsa të tjerë mbetën të zemëruar”, është shprehur Saviano sërish për “Shqip”.
Autori i bestsellerit “Gomorra”, shprehet se pas këtyre deklaratave ka krijuar një raport të vecantë me shqiptarët dhe nga ana tjetër nënvizon se dy vendet, Italia dhe Shqipëria, kanë shumë gjëra të përbashkëta.
“Kam një lidhje shumë të ngushtë me shqiptarët. Të kuptosh mafien italiane do të thotë të kuptosh mafien shqiptare. Besoj se është një element që lidhet me imazhin, ky është edhe një problem italian. T’i bësh ballë mafies do të thotë se je një vend i shëndetshëm, ndërsa në rast të kundërt i bie të heshtësh para një krimi”, ka pohuar Saviano.
Më tej ai ka folur edhe për qëndrimin e tij kritik ndaj kryeministrit Berlusconi, i cili sipas tij nuk mund të qëndrojë më në pushtet për shkak të sulmeve që ai u bën institucioneve.
“Berlusconi e konsideron librin tim si një libër që e mbështet mafien. Të flasësh për mafien do të thotë të ndryshosh rrugën e territorit tënd. Një kryeministër që sulmon gjykatën, nuk mund të jetë më në krye të qeverisë. Historia e Berlusconi-t ka të bëjë me hipokrizinë e klasës udhëheqëse. Kush shkon me Berlusconi-n ka favore politike dhe karrierë në mediaset. Kjo shkakton shantazhe në politikën italiane”, ka deklaruar Saviano.
“Berlusconi kërkon të na bëjë të mendojmë se kushdo që ka një të dashur mund të hetohet. Është e papranueshme që në një vend demokratik kryeministri të thotë se gjykatësit duhet të ndëshkohen”, ka shtuar ai.
Top Channel