Pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve për hetim të 21 janarit nga prokuroria, Partia Demokratike ka vijuar akuzat ndaj prokurores së përgjithshme Ina Rama, duke e fajësuar atë se po kryen hetim të njëanshëm.
“Shoqja e bulevardit, që ka mbyllur 21 dosje për korrupsion mbi Edi Ramën, me hetimet që bën cdo ditë mbi 21 janarin mendon se do të mbyllë këtë cështje. Ina Rama për të mbrojtur Edi Ramën, në bashkëpunim me shokun tjetër të bulevardit, po shkatërrojnë cdo provë që lidh opozitën me 21 janarin”, ka deklaruar deputetja Mesila Dode.
Ndërkohë që opozita, duke iu përgjigjur sulmeve të mazhorancës, ka akuzuar kreun e qeverisë se po i bën lincim publik një gruaje për të kondicionuar organin e akuzës.
“Nëse prokurorja e përgjithshme nuk bën si do Saliu, fajin e ka Saliu jo Ina Rama. Nëse prokurorja e përgjithshme heton vrasjet e 21 janarit fajin e ka Saliu jo Ina Rama. Nëse Prokurorja e Përgjithshme s’dëgjon thirrjet e dhunshme të oborrit të pushtetit për të goditur opozitën, fajin e ka Saliu jo Ina Rama. Dhe nëse nuk ka e s’mund të ketë asnjë provë apo fakt që provon shpifjet e intrigat e Saliut për liderin e opozitës, fajin e ka përsëri Saliu, i cili duhet të largohet bashkë me baltën që hedh përditë mbi Shqipërinë”, ka deklaruar deputetja socialiste Mimi Kodheli.
Top Channel