Për zv/kryetaren e AKR-së, Mimoza Kusari Lila, e cila në qeverinë e re të koalicionit PDK-AKR mban edhe postin e zv/kryeministres, ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell nuk ka patur asnjë ndikim në zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

E ftuar në “E Diell”, zonja Kusari Lila tha se ambasadori Dell në mesazhin e tij telefonik ka komentuar zgjedhjen e Pacollit. Ajo shtoi se ditën e zgjedhjes së Begjet Pacollit president ambasadori Dell nuk ka qenë i vetmi që ka dërguar mesazhe telefonike.

“Ambasadori Dell ka komentuar zgjedhjen e Presidentit të Kosovës dhe nuk ka patur ndikim në procesin e votimit në Kuvend. SMS kemi marrë të gjithë ditën e zgjedhjes së presidentit. Kam patur mesazhe për të mos zgjedhur Pacollin”, tha Mimoza Kusari Lila.

Zv/kryeministrja e Kosovës bëri një rezyme të situatës në Kosovë. Sipas saj, Thaci e Pacolli janë të vetëdijshëm për periudhën kyce që po kalon Kosova e për këtë do të ruajë bashkëpunimin. Zonja Kusari Lila vlerësoi gjithashtu se vendi po përballet me vështirësi e probleme të mëdha, një pjesë e të cilave të bartuara nga njëra qeveri në tjetrën, pa gjetur zgjidhje.

Më tej zv/kryetarja e AKR-së, vlerësoi edhe përbërjen e kabinetit “Thaci 2”.

“Është një situatë e rëndë për institucionet  në Kosovë. Ka patur akuza, hetime në qeverinë e kaluar për ministra të caktuar e për këtë barra e përgjegjësisë bie edhe kryeministrit. Në rrethanat që është Kosova, partia e Thacit doli si partia më e madhe dhe zgjodhi Thacin si kryeministër. E rëndësishme është që ndaj kryeministrit nuk ka patur hetime zyrtare. Nuk kemi qeveri të korruptuar shpresojmë me suksese deri në përfundim të mandatit”, tha Lila.

Më tej zv/kryeministrja foli edhe për Mitrovicën e Veriut. Ajo tha se në këtë pjesë të territorit të Kosovës ndoshta do të gjendet një zgjidhje ndryshe nga të tjerat. Zonja Lila vlerësoi gjithashtu se imazhi i Kosovës nuk është në vendin e duhur në arenën ndërkombëtare dhe se qeveria nuk është në pozitë të favorshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA