Në tetor 2007 u lidh marrëveshja me BERZH dhe BEI, dy bankat europiane, për kredinë prej 60 milionë eurosh, ndërsa projektit iu hap drita jeshile e fillimit të punimeve.
Kanë kaluar mbi tre vjet nga marrëveshja dhe fillimi i punimeve dhe sot, rruga 25 kilometër e gjatë, ende vijon të zvarritet për probleme nga më të ndryshmet.
Gazeta “Shqip” mëson shkaqet e vërteta të zvarritjes së rrugës, e cila vijon ende të ketë probleme.
Në raportin që Ministria e Transporteve dhe Punëve Publike i ka kaluar Ministrisë së Financave mbi zbatimin e buxhetit të vitit 2010, në pjesën kur flitet për rrugët, thuhet se aksi Levan-Vlorë vijon të mbetet peng i disa problemeve, ku më kryesoret janë shpronësimet.
“Procedurat e shpronësimeve nuk kanë përfunduar ende në të gjithë gjatësinë e projektit, edhe pse ishte kusht i vendosur nga donatorët për fillimin e financimit”, thotë Ministria e Transporteve, në raportimin e buxhetit, me anë të një shkrese, firmosur më 24 janar 2011.
Në këtë pikë, ministria pranon se për shkak të shpronësimeve firma ndërtuese ka pasur shumë probleme për vijimin e punimeve.
Por kjo është njëra anë e problemit me rrugën, e cila po thyen rekordin e kohës së punimeve, me financim të huaj.
Në shkresën e dërguar për te Ministria e Financave, transportet deklarojnë se nga ana e firmës së ndërtimit janë vënë re mungesa të organizimit dhe të një mobilizimi të dobët.
“Megjithëse një pjesë e shpronësimeve ka përfunduar, ritmi i punimeve mbetet ende i pakënaqshëm”, pranon ministria.
Top Channel