
Pas pijeve të rrezikshme serbe të cilat ende qarkullojnë në tregun kosovar, tashmë paraqitet edhe një produkt tjetër ushqimor i cili rrezikon seriozisht shëndetin e qytetarëve.
Bëhet fjalë për ëmbëlsirat serbe “Jaffa” i cili përdoret në masë të madhe në tregun kosovar.
Pak ditë më parë, në Slloveni, qeveria e ka tërhequr urgjentisht nga tregu biskotat Jaffa pasi, analizat e bëra kanë treguar se ambalazhet e saj përmbajnë substanca shumë të rrezikshme dhe kancerogjene. Vendimin e ka marrë Instituti për siguri të shëndetit i Sllovenisë.
Ashtu si herëve të tjera, Inspektorati i Kosovës reagon pasi shteti slloven ka nxjerrë analizat.
Çka do të thotë që, në Kosovë vazhdojnë të futen produktet e rrezikshme ushqimore pa iu bërë analizat e nevojshme.
Përkundër kësaj ka tregtarë kosovarë që vazhdojnë të shesin këtë prodhim.
Inspektoriati sanitar sapo ka filluar të shpërndajë njoftimin. Kamera e TCH përcolli pikërisht momentin kur një kompanie distributore për Kosovën iu dorëzua urdhëresa për ndalimin e shpërndarjes së mallit. Megjithatë përfaqësuesit e kompanisë nuk deshën të flasin rreth këtij problemi.
E në pritje të asaj dite kur ndalimi i produkteve të dëmshme për shëndetin do të bëhet nga autoritetet në Kosovë dhe jo pasi zbulohen nga jashtë, klientëve u mbetet të hapin sytë dhe të mbrohen vetë nga ushqimet që konsumojnë.
Top Channel