Kapiteni i Juventusit, Alessandro del Piero, dha një provë më shumë të përkushtimit të tij ndaj fanellës bardhezezë, duke deklaruar se është i gatshëm të rinovojë, edhe nëse nuk do t’i ofrojnë asnjë shpërblim financiar.
Në një shkrim të botuar në faqen e tij personale, kapiteni bëri të qartë se vlera e pagës që do t’i ofrojë klubi nuk ka asnjë lloj rëndësie. “Kur kam qenë adoleshent, kam hedhur firmën mbi një kontratë të bardhë. Nuk e dija se sa do të paguhesha dhe edhe tani mund të hedh firmën njësoj. Le t’a plotësojë klubi më vonë shifrën që do të marr”.
Pas 667 ndeshjesh me Juventusin dhe 280 golash, Del Piero nuk mund të luajë më me asnjë skuadër tjetër në jetën e tij, por ndien se ka ende për të dhënë, prandaj edhe opsioni i tërheqjes nga futbolli nuk merret parasysh.
Lidhur me gjendjen e skuadrës, kapiteni motivoi skuadrën duke thënë se 12 fitore deri në fund janë të mundura, ndërsa theksoi se revolucioni nuk duhet bërë në merkato, por në mentalitet.
”Mendoj se Juventusi i ka cilësitë që të fitojë çdo ndeshje, ndaj çdo kundërshtari. Fatkeqësisht, në këtë sezon kemi patur bllokime mendore, të cilat nuk na kanë lejuar të shprehim potencialin tonë të plotë. Për këtë arsye, revolucioni duhet të fillojë nga mendja.
Për humbjen në Lecce dhe paraqitjen e dobët nuk ka asnjë shpjegim dhe asnjë justifikim. Deri në fundin e sezonit mbeten edhe 36 pikë në lojë. Do të provojmë që t’i fitojmë të gjitha”.
Top Channel