Në takimin e zhvilluar sot me nënsekretarin amerikan të Shtetit, James Steinberg, kryetari i PS Edi Rama shprehu qëndrimin e tij se kriza politike në Shqipëri i ka rrënjët tek korrupsioni në rang qeveritar.
Sipas një njoftimi online të PS, gjatë bashkëbisedimit, Rama deklaroi se bojkoti i zgjedhjeve nuk ka qenë kurrë një opsion për PS, por nënvizoi se ajo kërkon garanci për mbarëvajtjen e tyre.
Sa për zgjidhjen e krizës, lideri i opozitës vlerësoi se zgjidhja më e mirë është zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme.
“Opozita do të vazhdojë të kërkojë largimin e qeverisë dhe nuk do t’i ndalojë protestat, ndërkohë që do të japë cdo kontribut për garantimin e zgjedhjeve vendore”, deklaroi ndër të tjera Rama.
Ndërsa nënsekretari Steinberg, sipas njoftimit, u shpreh se transparenca është një e drejtë legjitime dhe domosdoshmëri për demokracinë.
Ai vlerësoi si shumë të rëndësishme përforcimin e institucioneve shqiptare, gjë për të cilën ofroi edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
Më tej dy bashkëbiseduesit u shprehën njëzëri për një hetim të pavarur të ngjarjeve të 21 janarit, gjatë të cilave mbetën të vrarë 4 persona.
Top Channel