Kryeministri Berisha priti sot në takim në selinë e Këshillit të Ministrave zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit James B. Steinberg. (UPDATE)
Sipas faqes së Kryeministrisë, kreu i qeverisë falënderoi zotin Steinberg për vizitën dhe i shprehu atij mirënjohjen më të thellë për të gjithë mbështetjen dhe ndihmën që qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka dhënë Shqipërisë dhe popullit shqiptar gjatë gjithë kësaj periudhe dhe veçanërisht në këto çaste të vështira që po kalon vendi pas sulmeve të dhunshme të opozitës ndaj institucioneve demokratike, nëpërmjet asistencës së çmuar profesionale në hetimin e 21 Janarit.
“Kryeministri Berisha e njohu zotin Steinberg me zhvillimet e fundit në vend dhe ndau me të të njëjtin qëndrim se respektimi i Kushtetutës, institucioneve demokratike dhe shtetit të së drejtës është dhe mbetet garanci themelore për mbarëvajtjen e demokracisë, në interesin më të mirë të vendit dhe kombit shqiptar. Të dy bashkëbiseduesit ishin të të njëjtit mendim për rëndësinë themelore që ka hetimi dhe gjykimi i plotë, i paanshëm dhe gjithëpërfshirës nga institucionet e vendit për 21 Janarin. Kryeministri theksoi se Shqipëria është një shtet demokratik ku çdo problem mund të zgjidhet në kuadër të Kushtetutës dhe shtetit ligjor”.
“Në takim, Kryeministri u shpreh se fokusi i qeverisë është vijimi me axhendën e reformave të gjithanshme për zhvillimin e modernizimin e mëtejshëm dhe për integrimin e vendit në BE”.
“Duke e falënderuar Zëvendëssekretarin Steinberg për mbështetjen dhe ndihmën e çmuar që SHBA po i ofrojnë Shqipërisë për të garantuar transparencën e zgjedhjeve lokale te 8 majit 2011, Kryeministri Berisha risiguroi zoti Steinberg se qeveria është dhe mbetet tërësisht e hapur dhe e gatshme për t’i ofruar vëzhguesve ndërkombëtarë çdo të drejtë dhe hapësirë ligjore për të garantuar një proces zgjedhor tërësisht transparent dhe që plotëson standardet me të larta ndërkombëtare për zgjedhje demokratike”.
“Pasi e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen miqësore, zoti Steinberg e risiguroi kreun e qeverisë shqiptare se SHBA dhe qeveria amerikane do të vijojnë të mbështesin Shqipërinë në ecjen e saj përpara. Duke nënvizuar rëndësinë e vijimit me reformat në vend, në veçanti përgatitjen për zgjedhjet e 8 majit, zoti Steinberg vlerësoi ofertën e bërë nga Kryeministri për forcimin e rolit të vëzhguesve të huaj në procesin zgjedhor”.
“Në fund të takimit, Kryeministri Berisha i ripërsëriti Zëvendëssekretarit të Shtetit Steinberg ftesën për një vizitë të Sekretares së Shtetit Hilary Clinton në Shqipëri”.
Në takim ishte i pranishëm edhe Zëvendësndihmës Sekretari për Evropën dhe Azinë, Thomas Countryman dhe Ambasadori Amerikan në Tiranë, Aleksander Arvizu.
Top Channel