Steinberg: Hetim të plotë 21 janarit

25/02/2011 14:00

Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, James Steinberg ka deklaruar se duhet të bëhet një hetim sa më i plotë dhe i pavarur për zbardhjen e ngjarjeve të 21 janarit. Ai ka shprehur mbështetjen për Prokurorinë e Përgjithshme si i vetmi institucion kushtetues në vend që duhet të bëjë hetimin e ngjarjeve.

Steinberg ka deklaruar se u ka kërkuar të gjithë liderëve politikë në vend që të respektojnë shtetin e së drejtës dhe Kushtetutën, si dhe ka bërë thirrje që të gjitha partitë të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, duke i dhënë mundësi shqiptarëve që të zgjedhin.

“Jemi shumë të trishtuar për humbjen e katër jetëve në protestat e 21 janarit. Për të gjithë personat që janë të interesuar, është shumë e rëndësishme që të kryhet një hetim tërësor dhe gjithëpërfshirës”, është shprehur Steinberg.

“Pata mundësinë të takoj prokuroren e përgjthshme dhe ajo më theksoi faktin dhe përkushtimin për të bërë një hetim të paanshëm dhe të plotë. Besoj se është e rëndësishme të kuptohet se ky hetim është në vijim dhe është e parakohshme të thuash se çdo të ndodhë me tej, deri në fund të tij. Ne si SHBA jemi aty për të dhënë mbështetje teknike për një hetim të plotë dhe e vlerësova faktin që prokurorja e përgjithshme është e përkushtuar për të bërë një hetim të paanshëm dhe të plotë”, tha diplomati amerikan.

“Rruga se çdo të bëhet duhet vendosur nga populli shqiptar dhe vetë shqiptarët. Ndërsa bëjnë këtë rrugë dhe marrin këto vendime ata duhet të udhëhiqen nga disa parime demokratike, si respekti i Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës. Ne duam zgjedhje të hapura dhe të drejta që t’i japin mundësinë shqiptarëve të zgjedhin opsionet më të mira për ta. Duhen biseda dhe diskutime të civilizuara duke dhënë mendimet e tyre, përkushtimin e tyre për të treguar sfidën e korrupsionit që është diçka e rëndësishme për të gjitha demokracitë”, deklaroi Steinberg.

“U kërkova të gjithë udhëheqësve të njëjtën gjë: Respektin për shtetin e së drejtës dhe Kushtetutën, respektin për institucionet e pavarura që ekzistojnë në varësi të Kushtetutës, respektin për proçesin zgjedhor, pjesëmarrje në proçeset elektorale dhe një debat të civilizuar. Këto janë disa gjëra që nuk kërkohen apo i duam ne, por i gjithë populli shqiptar… Më e rëndësishme është se çfarë ata do të bëjnë në ditët në vijim, sesa çfarë më thanë. Unë vleresoj shpirtin pozitiv që përdorën personat që takova dhe shpresoj se do të ecim në rrugën e duhur”, theksoi ai.

Ai ka theksuar se nuk ka krahasime mes situatës në Shqipëri dhe asaj çfarë po ndodh në disa vende afrikane.

“Nuk ka krahasime të rëndësishme mes Shqipërisë dhe vendeve në Azi. Këtu ju keni një demokraci dhe duket që kjo është një demokraci në progres. Ju keni një Kushtetutë demokratike dhe keni të përcaktuar shtetin e së drejtës që lejon bërjen e ligjeve. Mitingjet paqësore janë një mënyrë dhe janë të rëndësishme për të shprehur pikëpamjet. Ju e keni arritur demokracinë dhe nuk është e nevojshme të përdoren mjete jokushtetuese për të arritur atë që duhet. Për këtë ju bëjmë thirrje partive politike që të mbështeten në mjete kushtetuese në dispozicion për t’i lejuar të dëgjohen pikëpamjet që nënshtrohet”, tha Steinberg.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA