Me vizitën e tij në Tiranën e përfshirë nga kriza politike, James Steinberg duhet të shuante cdo dyshim mbi qëndrimin e Shteteve të Bashkuara. (UPDATE)
Ashtu sic shkruhet edhe në faqen zyrtare, i emëruar nga Presidenti Obama, ai është alter egoja e zonjës Clinton, personi më i rëndësishëm pas saj në Departamentin amerikan të Shtetit.
Por cili ishte mesazh i tij për udhëheqësit shqiptarë? Pak përpara nisjes, ai dha një konferencë për shtyp në aeroportin e Rinasit.
“Dëshiroj të filloj me shprehjen e trishtimit të madh për humbjen e katër jetëve më 21 janar dhe të ngushëllimeve tona për familjet. Është me rëndësi për të gjitha palët, jo vetëm familjet, por për të gjithë popullin shqiptar, që të ketë një hetim gjithëpërfshirës dhe të pavarur, i cili do të përcaktojë faktet, si edhe përgjegjësitë përkatëse për ngjarjet. Kushtetuta juaj garanton një proces të pavarur hetimor nëpërmjet Prokurorisë së Përgjithshme dhe ne mendojmë se është shumë e rendësishme që pavarësia e këtij hetimi të mbrohet. Mendoj se është e rëndësishme të pranohet që ky proces është ende në zhvillim dhe do të ishte e parakohshme të bëhen gjykime se si do të vazhdojë, për sa kohë hetimi vazhdon”, deklaroi Steinberg, i cili garantoi ndihmën e SHBA.
“Nga ana jonë, Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të sigurojnë mbështetjen e duhur teknike për të ndihmuar në çdo mënyrë të dobishme. Dhe, sic kam thënë, e vlerësoj angazhimin e marrë nga prokurorja e përgjithshme për të garantuar që hetimi të jetë sa më gjithpërfshirës dhe i pavarur”, siguroi Steinberg.
Zëvendëssekretari Steinberg refuzoi ta krahasojë situatën në Shqipëri me situatën në Tunizi, Egjipt apo gjetkë.
“Këtu ju keni një demokraci. Është një demokraci që është gjithë kohën në zhvillim e sipër, sic thotë gjithmonë edhe presidenti Obama. Por ju e keni një Kushtetutë, një shtet të së drejtës, një proces elektoral, të përcaktuara në mënyrë demokratike. Sigurisht, mundësia për tubim paqësor dhe diskutime publike është pjesë e demokracisë dhe sigurisht që ne e mbështesim të drejtën e qytetarëve për të pasur tubime publike dhe shprehje pikëpamjesh. Por duke marrë parasysh mundësitë demokratike, nuk ka në fakt arsye apo justifikim për të zgjedhur veprime jashtë kuadrit kushtetues për të arritur demokracinë. E vlerësoj tonin pozitiv dhe frymën pozitive që të gjithë udhëheqësit që takova sot shprehën gjatë bisedave tona dhe kam shpresë se do të shohim përparim ndërsa ecim përpara. Ne presim me kënaqësi zgjedhjet tuaja vendore në maj”, theksoi Steinberg.
Pas takimit të Edi Ramës me zotin Steinberg, Partia Socialiste në njoftimin zyrtar shkruan se opozita nuk do të bojkotojë zgjedhjet e 8 majit.
“Zoti Rama është shprehur se opozita do të vazhdojë të kërkojë largimin e qeverisë dhe nuk do t’i ndalojë protestat, ndërkohë që do të japë cdo kontribut për garantimin e zgjedhjeve vendore”, thuhet në njoftim.
Opozita ka kërkuar garanci për zgjedhjet, por a do të ketë zhvillime që prekin edhe KQZ-në dhe jo vetem ate?! Kjo mbetet për t’u parë.
Zoti Stainberg e filloi fjalën e tij me nderimin për viktimat e 21 janarit, ndërkohë që pak ditë më parë fjala e ambasadorit Arvizu në një takim me drejtorin e policisë shkaktoi jo pak polemika.
Ai kishte përmendur viktimat pasi kishte vlerësuar më parë punën e policisë. Pas kësaj vizite të zv/sekretarit amerikan të Shtetit, të përgatitur një ditë më parë, bën që tani për krizën shqiptare të ketë mbetur pa u prononcuar vetëm sekretarja Clinton dhe vetë presidenti Obama.
Top Channel