Revista prestigjoze britanike “The Economist”, në vazhdën e publikimit të shkrimeve për tregtinë e organeve gjatë luftës në Kosovë, pretendon se disponon fakte të reja që mbështesin pretendimet e Dick Marty.

Gazetari Tim Judah ka publikuar një analizë të gjatë për këtë cështje me titull: “A është balta duke ngjitur?”.

“Gjatë dy ditëve të fundit kanë dalë në dritë dy dokumente të reja të cilat do t’ia shtojnë akoma më shumë ëndrrat e këqija atyre të përfolurve në raportin e Marty. Disa dokumenta që kanë përfunduar në mediat serbe duket se po i forcojnë më tepër pretendimet e shkruara në raport”, thuhet në artikull.

Tim Judah thotë se ai posedon transkriptimin në origjinal të dy intervistave të zhvilluara me dëshmitarë që kanë dijeni për tregtinë e organeve.

Sipas tij, këto dëshmi i janë dhënë nga një burim konfidencial në vitin 2003, të cilat i janë përcjellë edhe administratës së Kombeve të Bashkuara.

Dëshmitë e cituara nga “The Economist” tregojnë se dëshmitarët besojnë se serbë të rrëmbyer janë vrarë për t’iu marrë organet.

Dokumenti i parë mban datën 30 tetor 2003 dhe ka një aneks me dëshmitë e dërguara nga UNMIK tek gjykata për krimet e luftës në Hagë.

Dokumenti i dytë mban datën 12 dhjetor 2003 dhe është dërguar nga drejtuesit e UNMIK departamentit të Drejtësisë.

Nga një përmbledhje e këtyre dëshmive rezulton se gjatë periudhës qershor-tetor 1999, 100 deri 300 njerëz, shumica e të cilëve meshkuj serbë, janë rrëmbyer për t’u dërguar në Shqipëri.

100 prej tyre janë dërguar në një tjetër qendër detencioni, nga ku i janë hequr organet të cilat më pas janë transportuar për në Tiranë drejt Turqisë.

Por në këto dokumenta asnjë prej dëshmitarëve nuk kanë parë me sytë e tyre procedurat mjekësore, por kishin dijeni për këto ngjarje ku në disa raste sipas tyre ishin përfshirë drejtues të lartë të UCK-së.

Duke cituar një prej dëshmive, “The Economist” shkruan: “Të tilla operacione kishin mbështetjen e policisë sekrete shqiptare të qeverisë së zotit Sali Berisha, i cili është përsëri kryeministër i Shqipërisë”.

Në këto dokumente nuk përmendet emri i zotit Thaci, por ato të zotit Ramush Haradinaj dhe të vëllait Dautit.

Pavarësisht rrjedhjes së këtyre dokumentave, “The Economist” parashikon se do të jetë e pamundur për ata që kanë dijeni për trafikun e organeve të dëshmojnë nëse nuk i garantohet një identitet i ri dhe strehim jashtë Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA