Mazhoranca ka nisur një nga reformat më të rëndësishme në vend, që prek direkt qytetarët, atë të sistemit shëndetësor.
Një ditë më parë Kuvendi miratoi një ligj i cili ndryshon rrënjësisht skemën e sigurimeve shëndetësore, duke përfshirë edhe spitalet private. Opozita thotë se jemi përballë një skandali dhe për këtë jep argumentat e saj.
“Legalizon atë që ne kemi denoncuar, rrënimin e qëllimshëm të shërbimit publik shëndetësor dhe degradimin e tij në pritës dhe tranzitues të pacientit përkundrejt shërbimit privat, që kontrollohet nga një grusht politikanësh pranë Sali Berishës”, deklaron deputeti i PS, Erjon Brace.
Reformat shëndetësore përvecse kanë ndjeshmëri të lartë publike, janë afatgjata. Ligji i ri do të hyjë në fuqi pas dy vitesh dhe zbatimi i tij i mbetet në dorë qeverisë tjetër.
“Pikërisht prej këtej është e domosdoshme jo vetëm informimi i qytetarëve dhe grupeve të interesit, por një konsensus politik për këtë reformë që konsiderohet nga SHBA në BE si reformë themelore. Nuk ka asnjë shifër që të tregojë se sa kushton kjo reformë dhe se nga kush do përballohet ajo”, thekson Brace.
Argumenti më i fortë që qeveria ka përdorur gjithmonë kur ka privatizuar shërbimet publike ka qenë ai i luftës ndaj korrupsionit, por Brace mendon se ndodh e kundërta.
“Instituti i Sigurimeve Shëndetësore, që kthehet në fond, do të blejë me para publike shërbime shëndetësore tek privati dhe këtë e bën pa garë, por përmes përzgjedhjes së drejtorit ose drejtoreshës së këtij fondi”, nënvizon Brace.
Së fundi opozita thotë se vec rrënimit të spitaleve publike dhe ligjërimit të korrupsionit, ligji i ri i jep fund shërbimit shëndeëtsor falas në Shqipëri.
“Shqetësimi im mbeten ata që futen në skemën e detyrueshme, por që nuk e paguajnë dot si bujqit, fshatarët, fëmijët në zonat fshatare. Cili është tavani i qeverisë për këtë kategori? Zero. Këta nuk do të përfitojnë nga ky shërbim”, shton Brace.
Top Channel