Trajneri i skuadrës së Bundesligës, St.Pauli, befasoi të gjithë me vendimin e tij për të përfshirë në listën e të grumbulluarve për ndeshjen e sotme me Hannoverin zëdhënësin për shtyp.
Pasi në javët e fundit u dëmtuan njëri pas tjetrit gjashtë mbrojtësa, skuadra nga Hamburgu ndodhet në krizë dëmtimesh për repartin difensiv.
Duke mos patur asnjë futbollist tjetër për të mbushur stolin e rezervave, trajneri Holger Stanislawski vendosi të grumbullonte në skuadër një punonjës të klubit, atë që në fakt është vetëm zëdhënësi për shtyp i St.Paulit.
Lajmi befasoi më shumë se sa mediat vetë Hauke Brukner-in, personin që papritur, nga sallat e konferencave për shtyp, e sheh veten në kandidat për t’a parë veten në fushat e lojës.
Bruckner-i, i cili disa vite më parë luante në një skuadër amatore, deklaroi për mediat gjermane: “Shoh që trajneri më morri në celular që në orën 8:30 të mëngjesit dhe mendova se do të më kritikonte, pasi kisha caktuar një seancë dhëniesh autografësh midis dy seancave stërvitore.
Por, ajo që më kërkoi trajneri, ishte të paraqitesha në stërvitje si të gjithë futbollistët. I thashë menjëherë po, jam në qiellin e shtatë, nuk do të kisha menduar kurrë që mund të debutoja një ditë në Bundesligë”.
St.Pauli ka vetëm katër mbrojtës të tjerë për momentin dhe nëse njëri prej tyre do të dëmtohet apo për ndonjë arsye do të duhet të zëvendësohet, Hauke do të bëjë debutimin e tij në elitën e futbollit gjerman.
Top Channel