Dy të rinj kanë mbetur në malet e Vithkuqit ndërsa kishin ikur në këmbë për në fshatin Katund.
Neritan Hasani, 18 vjec nga Tirana është gjetur i ngrirë dhe në gjendje të rëndë pas shtatë orë kërkimesh, ndërsa shoku i tij nga zona e Katundit, Stefan Damo ka qenë në gjendje më të mirë shëndetësore.
Dy shokët ishin nisur me këmbë për të dalë në fshatin e 17-vjecarit Damo dhe kanë humbur rrugën gjatë natës për shkak të mjegullës.
Pasi kanë sinjalizuar të afërmit, policia ka nisur kërkimet dhe i ka gjetur dy të rinjtë në orët e para të mëngjesit.
Pasi ka marrë ndihmën e parë dhe është përmendur, Neritan Hasani është sjellë në spitalin e Korcës për trajtim mjekësor me këmbë të ngrira, ndërsa Stefan Dono ka mundur të përballojë të ftohtin.
“Zuri mjegulla dhe në atë kohë ngatërruam rrugën, ikëm lartë nga mali dhe aty na zuri nata. Morëm familjet në telefon dhe pastaj erdhi policia na gjeti”, tregon 17-vjecari Stefan Damo.
Ka qenë 17-vjecari që e ka ftuar shokun e tij për në fshat dhe për shkak të mungesës së rrugës automobilistike, dy të rinjtë kanë ikur në këmbë për të dalë më shpejt nga Vithkuqi në Katund.
Top Channel