Celibashi, kritika KQZ-së

25/02/2011 15:40

Ish-kryetari KQZ, Ilirjan Celibashi ka komentuar në një intervistë për Top Channel situatën e krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve me mungesën e propozimeve nga ana e dy partive opozitare për anëtarët e KZAZ-ve.

“Pavarësisht, le të themi dëshirës së mirë të KQZ, për sa kohë që ky vendim nuk gjen mbështetje ligjore nuk është një vendim që do pranohet nga partitë politike dhe për pasojë do gjejë kontestin e tyre. Do ishte mirë që për ruajtjen e integritetit KQZ t’i qëndrojë strikt ligjit, pavarësisht nevojës për të përgatitur procesin e ardhshëm zgjedhor”, ka deklaruar Celibashi.

Celibashi i është përgjigjur edhe pyetjes për punën e KQZ që pas vitit 2009 dhe nevojës për ndryshime në bazën ligjore të funksionimit të këtij institucioni.

“Besoj që ka arsye të përligjura që tre anëtarë të këtij institucioni nuk po ushtrojnë detyrën e tyre lidhur me pamundësinë objektive të tyre për të ushtruar këtë mundësi. Ky institucion ligjërisht është i pavarur nga politika, por zgjedhjet e kaluara kanë kompromentuar këtë paanësi. Unë kur kam qenë vetë anëtar i këtij institucioni, i kam qendruar dhe i qendroj pikëpamjes se KQZ duhet të jetë i pavarur në vendimmarrje dhe mënyra më e mirë për ta garantuar këtë nuk është propozimi nga partitë politike”, ka pohuar Celibashi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA