Seria A në “supermarketin francez”

23/02/2011 19:20

Skuadrat e Serisë A janë përqendruar tek “supermarketi francez”, për të përforcuar skuadrat e tyre në sezonin e ardhshëm.

Sipas të përditshmes sportive “La Gazzetta dello Sport”, skuadrat e Ligue 1 kanë disa talente që i interesojnë shumë skuadrave italiane.

21-vjeçari Sakho përbën “perlën” e vërtetë të asaj që mund të ofrojë tregu i vendit transalpin. Qendërmbrojtësi ka debutuar me kombëtaren e Francës dhe ai është në qendër të vëmendjes së Milanit, Interit e Napolit.

Në nëntor, ai duhet të rinovonte kontratën me Paris SG, e cila skadon në vitin 2012, por një marrëveshje nuk u arrit, prandaj ai mund të jetë i disponueshëm në verë për më pak se 10 milion euro.

Përveç qendërmbrojtësit, kuqezinjtë ndjekin me vëmendje edhe një shkatërrues si Chantome, qendërmbrojtësit Armand dhe Ceara Maurice.

Megjithatë, një dëshirë e vërtetë për kuqezinjtë mbetet 23-vjeçari Gameiro, një sulmues i Lorient, autor i 15 golave deri tani në kampionat dhe një prej yjeve të ardhshëm të kombëtares franceze.

I pëlqen Bordosë, të cilën e “falenderoi” me një tregolësh në fundjavë, por kontrata i skadon në vitin 2012, prandaj skuadra e tij aktuale do të ishte e lumtur t’a lejonte të largohej për 10 milion euro në verë. Milan dhe Valencia kanë gati një ofertë.

Përsa i përket Interit, zikaltërit po ndjekin me vëmendjen mbrojtësin e Bastias së kategorisë së tretë franceze, një 19-vjeçar befasues i quajtur Martial. Mesfushori i talentuar i Tuluzës, Tabanou, është gjithashtu në listën e dëshirave.

Në tregun francez është përqendruar edhe Manchester United, që sheh tek Lloris emrin e zëvendësuesit së portierit Van der Sar dhe tek Valbuena, një mesfushor krahu të shkëlqyer.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA