Trajneri i Realit të Madridit, Jose Mourinho, tregoi të gjithë indinjatën e tij për një penallti të supozuar të paakorduar nga gjyqtari Wolfgang Stark, në përfundim të ndeshjes së barazuar 1-1 në Lion.
”Ka disa raste që nuk janë shumë të qarta dhe çfarëdo vendimi që të marrë gjyqtari do të ishte i pranueshëm, por ka edhe raste të tjera që situatat janë shumë të qarta dhe të gjithë i shohin”, deklaroi Mourinho.
”Prekja me dorë në zonë ndodhi pesë metra larg gjyqtarit kryesor dhe atij të vendosur pas porte. Katër sy nuk qenë në gjendje të shihnin atë që miliona sy të tjerë e panë shumë qartë”.
Duke u ndaluar vetëm tek ndeshja, e cila theu rekordin e shikueshmërisë së sezonit në Spanjë, pasi u ndoq nga 8,4 milion persona, trajneri portugez shtoi: “Mendoj se hodhëm një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit.
Fusha e Lionit ka qenë veçanërisht e vështirë për ne në të shkuarën dhe kjo ishte hera e parë në katër ndeshje që nuk humbim. Megjithatë, është e qartë që duhet të luajmë mirë në “Bernabeu”, pasi edhe ata kanë shanset e tyre”.
Top Channel