Një treshe hajdutësh vrau tre peshq të kuq gjatë vjedhjes së një banese në Çikago, pasi nuk dëshironte të linin dëshmitarë.
Sipas lajmit të veçantë të publikuar në një gazetë amerikane, tre adoleshentë shpërthyen derën e një shtëpie, nga e cila vodhën një play-station, 30 videolojra, 30 Dvd, një pushkë dhe një kasafortë, ku mbaheshin bixhuteri dhe dokumente e fotografi personale.
Megjithatë, përpara se të largoheshin, një 16-vjeçar, pjestar i treshes së hajdutëve, mori tre peshqit e kuq të akuariumit dhe i hodhi në vaskën pa ujë, duke i lënë të ngordhnin, pasi i hodhi sipër edhe salcë.
Policia mundi të arrestonte tre minorenët hajdutë pak kohë më pas dhe në marrjen në pyetje, natyrshëm lindi pyetja se përse kishin vrarë peshqit, kur kishin marrë gjithçka që kishin hyrë për të vjedhur.
Për çudinë e policisë, ata mësuan se ngjarja ndodhi pasi hajdutët nuk dëshironin të kishin dëshmitarë. Siç shpjegoi njëri prej tyre, ata besonin se policia kishte disa teknika të panjohura dhe fantashkencore, që mund të rikthenin ngjarjen si një video, nga informacioni i depozituar në trurin e çdo kafshe.
Edhe sikur kjo teknikë futuriste të ishte e mundur, peshqit nuk do të mund të jepnin informacion, pasi ata janë gjallesa me një shikim shumë të dobët.
Për “vrasjen e dëshmitarëve”, hajdutët do të përballen përveç akuzës së vjedhjes, edhe me atë të mizorisë ndaj kafshëve.
Top Channel