Dobësohu në bazë të grupit të gjakut

23/02/2011 16:45

Disa persona të shquar, si aktorja Elizabeth Hurley dhe këngëtarja Cheryl Cole, treguan pak kohë më parë se ndiqnin dieta që bazoheshin mbi grupin e tyre të gjakut.

Sipas metodës së përdorur nga tyre, besohet se në bazë të grupeve të ndryshme që kemi, mund të maksimalizohen efektet e një diete, duke ndjekur atë që për trupin është më e efektshmja.

Nga studimet e mëtejshme, mësohet se grupi i gjakut ka një lidhje të ngushtë jo vetëm me metabolizmin tonë, por edhe me sëmundjet që mund të na prekin.

Kështu, siç u publikua sot në revistën shkencore “Lancet”, nga një studim i kryer me 20 mijë persona, u mësua se njerëzit që kanë grupin e gjakut O, janë më pak të prirur për t’u goditur nga infarkti.

Sipas një prej drejtuesve të studimit, Muredach Reilly, fakti që personat me grupin O janë më të mbrojtur prej infarktit, mund të çojë kompanitë farmaceutike në eksplorimin e metodave të reja për prodhimin e ilaçeve.

Ai beson se duke u studiuar më thellësisht gjenetika e grupit O, do të jetë e mundur të krijohet gjeni i vetëm që është në gjendje të reduktojë riskun.

Duke shkuar më tej, kërkuesit theksojnë se cili prej katër grupeve të gjakut që ekzistojnë kanë pikën e tij të forcës, por edhe pikat e tij të dobëta.

Personat me grupin zero kanë një imunitet më të lartë ndaj sëmundjeve, por janë më të prirur për t’u prekur nga ulçera apo epidemitë, si kolera.

Përsa i përket grupit A, është arritur të zbulohet se personat që kanë këtë grup, kanë një risk më të madh për t’u prekur prej tumorit të stomakut.

Për t’u dobësuar, personat me këtë grup duhet të hanë ushqime vegjetariane, ndërsa ata me grupin zero, humbasin peshë në mënyrë më efektive duke u bazuar në dietat me mish.

Ndërsa studimi për grupin B dhe AB është ende duke u thelluar, është zbuluar edhe diçka tjetër befasuese për personat që kanë grupin A të gjakut.

Ata tresin me shumë vështirësi yndyrrat dhe proteinat, nëse ato bashkohen bashkë. Personat me grupin A, mund të tresin shumë lehtë një sallatë të shoqëruar me një fetë djathë.

Por, nëse sallatës dhe djathit i shton dhe një biftek, atëherë për stomakun misioni i tretjes ndërlikohet shumë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA