Zelandë e Re, 65 të vdekur nga tërmeti

22/02/2011 08:40

Kryeministri i Zelandës së Re ka deklaruar se të paktën 65 persona kanë vdekur për shkak të tërmetit 6.3 ballësh që tronditi Kristcërcin.

John Key ka thënë se pritet që shifra në fjalë të rritet më tej në orët e ardhshme. “Mund të jemi dëshmitarë të ditës më të zezë të Zelandës së Re”, ka deklaruar Key.

Lëkundja sizmike u verifikua rreth 12:51 me orën lokale, ose rreth 23:51 me orën tonë, 10 kilometra në jug-lindje të qytetit dhe me epiqendër në 5 kilometra thellësi, gjë që ka shkaktuar përhapjen e dëmeve.

Kryetari i bashkisë së Kristcërcit ka deklaruar se të paktën 200 persona besohet të kenë mbetur të bllokuar nën rrënoja.

Dëmet duket se janë më të rënda se ato të tërmetit prej 7.1 ballë të muajit shtator, që shkaktoi plagosjen rëndë të dy personave, por asnjë vdekje.

Top Channel