Reali i Madridit nuk ka mundur të dalë triumfues nga Stade Gerland në ndeshjen e luajtur ndaj Lionit vendas e të vlefshme për fazën e 1/16 të Ligës së Kampionëve.
Vendasit e nisin më mirë pjesën e parë duke iu afruar më rrezikshëm portës madrilene, ndërkohë që skuadra e Mourinjos përpiqej të fitonte terren, gjë të cilën e arriti me kalimin e minutave. Gjithësesi, përpjekjet e të dyja skuadrave nuk sollën ndryshim rezultati. Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola.
Në fraksionin e dytë, këshillat e Mourinjos duket se kanë vitalizuar lojën e madrilenëve, të cilët brenda pak sekondave i afrohen dy herë golit. Në rastin e parë Ronaldo ekzekuton një goditje standarte, por topi përplaset me shtyllën pingule të krahut të majtë të portierit Lloris. Pak momente më vonë një top i futur në zonën kundërshtare, goditet me kokë nga një lojtar i Realit të Madridit, por sërish fati nuk ka qenë me ta. Topi përplaset këtë herë në traversë.
Goli për miqtë do mbërrinte në minutën e 65-të pas një kombinimi të bukur mes Benzemas dhe Kristiano Ronaldos. Francezi, ish-lojtar i Lion brenda zonës godet, shënon, por nuk feston. Real kalon në avantazh 0-1.
Pas këtij goli, vendasit e Lion ngulmojnë më fort dhe gjejnë golin e barazimit me anë të Gomis që në minutën e 83 shënon pas një topi të marrë prej brazilianit Kris.
Pak minutat e mbetura nuk ndryshojnë rezultat, Lion-Real mbyllet 1-1 duke lënë gjithçka të hapur për kualifikim në ndeshjen e kthimit në Bernabeo.
Supriza e këtij sezoni të Ligës së Kampioneve, danezët e Kopenhagen nuk kanë mundur t’i bëjnë ballë Çelsit të Londërs. Skuadra e Ançelotit doli fituese nga stadiumi Parken falë një dopjete të Anelkas, i cili shënoi përkatësisht në mintuën e 17 dhe të 54.
Të mërkurën luhen dy ndeshjet e fundit të ndeshjeve të para të kësaj faze ku spikat sfida mes Interit dhe Bajernit të Mynihut, sfidë kjo që rikthehet pas finales së sezonit të kaluar. Ndërkohë, Mançester Junajted do të udhëtojë në Francë për t’u përballur me Marsejën.
Top Channel