Media amerikane: Ushtria të ndërhyjë në Libi

22/02/2011 18:40

Dy të përditshmet më të mëdha amerikane bëjnë thirrje për largimin me “çfarëdo mënyre” të Muammar Gaddafi-t nga pushteti në Libi.

Washington Post theksoi se diktatori libian duhet të ndëshkohet për krime kundër njerëzimit, të kryera gjatë regjimit të tij 42-vjeçar, ndërsa Wall Street Journal sugjeronte armatosjen e protestuesve dhe bombardimin e bazave të ushtrisë libiane.

Nën titullin “Liberating Libya”, “Wall Street Journal” shkruante: “Gaddafi është duke vrarë njerëzit e tij, por më e keqja është që ai ka 42 vjet që bën diçka të tillë.

Uashingtoni dhe Europa duhet të bëjnë shumë më tepër për të ndihmuar njerëzit libianë që të rrëzojnë regjimin e tyre tiranik. Nëse avionët do të përdoren për të vrarë dhe bombarduar civilët, atëherë perëndimi duhet të bombardojë bazat e ushtrisë libiane.

Armatosja e demonstruesve nuk mund të përjashtohet si një mundësi. Politika më e keqe që mund të realizohet është ajo e motivimit të libianëve për të dalë në protesta me duar në xhepa. Është njësoj sikur të firmosësh mandatin e tyre të vdekjes”.

Nga ana e tjetër, “Washington Post” shkruan: “Gaddafi duhet të përgjigjet në një gjykatë për krimet e tij. Dënimi i këtyre krimeve nga e gjithë bota është një veprim tërësisht i pamjaftueshëm.

Ajo që po ndodh në Tripoli dhe në qytetet e tjera libiane nuk është vetëm një shtypje e dhunshme e protestave, por një krim i vërtetë ndaj njerëzimit”.

Top Channel