Libia shtrenjton naftën

22/02/2011 12:25

Përhapja e protestave në Libi ka shkaktuar reduktimin me 6 për qind të nxjerrjes së naftës në vendin e tretë të Afrikës për prodhimin e arit të zi.

Gjithashtu, protestat të shoqëruara me qindra viktima kanë nxitur një numër të konsiderueshëm firmash të huaja që të tërheqin stafin e tyre ndërkombëtar, duke bërë që cmimi i naftës të ngjitet mbi 105 dollarë për fuci.

Wintershall, krahu eksplorues i kompanisë BASF, deklaroi se po ulte prodhimin e naftës në Libi me rreth 100 mijë fuci në ditë.

Kompani të tjera, mes të cilave Royal Dutch Shell, ENI dhe OMV deklarun gjithashtu se po largojnë stafin e tyre nga vendi.

Britanikja British Petroleum, e cila nuk prodhon naftë ose gaz në Libi por ishte gati për të nisur shpimet në perëndim të vendit, ka ndërprerë operacionet. Ajo ka një staf prej rreth 40 vetësh.

“Ne, ashtu si kushdo tjetër, po mbikëqyrim me shumë kujdes situatën. Ne kemi operacione që janë shumë të kufizuara. Janë fazat e para të eksplorimit”, ka deklaruar drejtori ekzekutiv Bob Dudley.

Ndërkohë, Shell, operacionet e të cilës në Libi kufizohen vetëm me eksplorimin, ka mbledhur punonjësit dhe i ka dërguar jashtë vendit.

Austriakja OMV deklaroi se aktivitetet e saj në Libi nuk janë prekur nga trazirat, por stafi i saj po transferohet jashtë vendit, ashtu sikurse po ndodh me stafin e kompanisë franceze Total.

Top Channel