A do të jetë në gjendje Jose Mourinho të bëjë Real Madridin të thyejë tabunë e çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve dhe për më shumë të mundë për herë të parë Lionin në këto 6 vite?
“S’kam bërë asnjë punë psikologjike me skuadrën”, ka deklaruar Mourinho.
“Unë kam fituar ndaj Lionit dhe kur e kam bërë këtë fitova Ligën e Kampioneve. Duhet të bëjmë kujdes, sepse Lioni ka kualitete në skuadër. Jemi gati dhe do të luajmë një ndeshje pa kompleksin e inferioritetit, sepse ne jemi Real Madrid”, ka përfunduar tekniku portugez.
Kundërshtari i Mourinho-s, Claude Puel, është i vetëdijshëm që do të ketë përballë një kundërshtar më të balancuar krahasuar me atë të sezonit të kaluar. Edhe pse madrilenët kanë shumë yje në skuadër, ai tregohet optimist kur thotë se skuadra franceze do të marrë maksimumin nga ndeshja e parë.
Ndeshja tjetër e mbrëmjes do të jetë ajo mes Copenaghen dhe Chelsea, një sfidë vendimtare për londinezët dhe për trajnerin Carlo Ancelotti, shumë i diskutuar kohët e fundit për rezultatet jo të mira.
“Kemi të gjitha mundësitë të fitojmë ndaj danezëve”, ka deklaruar Ancelotti.
“Duhet të mendojmë që është një ndeshje 180’ dhe për këtë kemi punuar”, ka përfunduar trajneri italian i Chelsea.
Top Channel