Bahrein, lirohen disidentët, vazhdojnë protestat

22/02/2011 15:10

Me dhjetëra mijëra qytetarë të Bahreinit morrën pjesë sot në funeralin e një protestuesi të vrarë, vetëm një ditë pasi Mbreti Hamad urdhëroi lirimin e të burgosurve politikë.

Lirimi i personave të arrestuar në ditët e protestave ishte një prej kushteve kryesore të vendosura nga opozita për uljen në bisedime. Urdhëri u konkretizua me largimin nga qelitë të disa qindra personave, më parë gjatë ditës.

Ndërkohë, disa qindra protestues vazhdojnë të flejnë në sheshin kryesor të qytetit, duke refuzuar që të hyjnë në bisedime me Princin e Kurorës, deri në përmbushjen e kërkesave të tyre bazë.

Përveç lirimit të demonstruesve të arrestuar, opozita kërkon dorëheqjen e qeverisë, hetimin e vrasjeve të ndodhura dhe reforma politike që do të çonin Bahreinin drejt kalimit në një monarki kushtetuese.

Disa protestues kërkojnë edhe largimin e Mbretit Hamad bin Isa al-Khalifah, por kjo kërkesë nuk është ende midis pretendimeve zyrtare.

Top Channel