SHBA, burg i përjetshëm për terroristin

18/02/2011 08:40

Një burrë 67-vjeçar, i shpallur fajtor për tentimin e shpërthimit të depozitave të karburantit në aeroportin kryesor të Nju Jorkut, u dënua me burgim të përjetshëm.

Në argumentin përfundimtar të gjykatës, në procesin e përfunduar mbrëmjen e shkuar, me orën shqiptare, thuhej se Russell Defreitas shpresonte që nëpërmjet aktit të tij, të ringjallte valën e terrorit të 11 shtatorit.

Bashkëpunëtorit të tij, Abdul Kadiri, një ish-antar i parlamentit të Guajanës, iu dha gjithashtu i njëjti ndëshkim, gjatë muajit dhjetor.

Avokatët mbrojtës sulmuan besueshmërinë e akuzave, duke thënë se nga një informacion bazë, u ngrit një teori e vërtetë konspiracioni në dëm të klientit të tyre.

”Historitë vazhduan të zmadhoheshin deri në nivelin e absurdit, me Zotin Defreitas që kishte planifikuar të sulmonte aeroportin me ninxha”, deklaroi avokati i tij mbrojtës.

Megjithatë, gjykata theksoi se kishte prova të qarta për besueshmërinë e sulmeve. Të dy u kapën, pasi një keqbërës i arrestuar për një akuzë tjetër, zbuloi planin në shkëmbim të uljes së dënimit.

Ata kishin studiuar skemën e sigurisë së aeroportit, për të bërë të mundur vendosjen e eksplozivëve në tankerat me karburant dhe arratisjen e tyre të mëpastajshme.

Defreitas ishte një punonjës shërbimi i aeroportit.

Top Channel