Bahrein, funeralet në zhvillim, tensione

18/02/2011 08:45

Me mijëra persona po marrin pjesë në funeralin e viktimave të protestave të një dite më parë në Bahrein, në ceremoninë funebër që është duke u zhvilluar tani.

Vajtuesit janë pajisur me parrulla antiqeveritare, ndërsa lëshojnë thirrje ofenduese ndaj Mbretit. Disa prej tyre deklaruan se janë të gatshëm të japin jetën, në mënyrë që të bëjnë të mundur rrëzimin e regjimit.

Katër persona mbetën të vrarë dhe disa qindra u plagosën, në përplasjet me forcat e sigurisë, në vendin e quajtur Sheshi i Perlës, në kryeqytetin Manama.

Disa orë më vonë është lajmëruar edhe për mbajtjen e një demonstrate paqësore, të organizuar nga mbështetës të regjimit në fuqi.

Ushtarët kanë marrë mandat për të siguruar me çdo kusht qetësinë në vendin ishullor, deklaroi Ministri i Brendshëm një ditë më parë.

Trupa të shumtë janë duke monitoruar mbarëvajtjen e funeralit. Bahreini drejtohet nga një familje mbretërore sunite, ndërsa shumica e popullsisë është shiite.

Regjimi është një alet i rëndësishëm i perëndimit, ndërsa kancelaritë europiane dhe Uashingtoni kanë bërë thirrje për “vetëpërmbajtje” të autoriteteve, gjatë zhvillimit të protestave paqësore.

Top Channel