Qytetarë, politikanë dhe personalitete të tjera kanë nderuar sot, me rastin e 3-vjetorit të pavarësisë figurat kombëtare të Kosovës.

Prekazi dhe shtëpia e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova kanë qenë vendet më të vizituara. Kryeministri Hashim Thaci ka bërë homazhe para varrit të Rugovës dhe është takuar me familjarët e tij.

“Pavarësia është vullneti dhe projekti i qytetarëve të Kosovës, i implementuar më 17 shkurt 2008. Kontributi i cdo politikani është i vlerësuar dhe ne jemi sot për të shprehur mirënjohjen dhe nderimin shtetëror”, ka deklaruar Thaci.

Ndërkohë, familja e luftëtarit legjendar të UCK-së, Adem Jashari, është vizituar nga ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi.

Gjithashtu, qytetarë të shumtë dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës kanë bërë homazhe tek varri i tij.

Nderimet kanë vijuar paralelisht në Prishtinë, ku politikanë të shumtë kanë bërë homazhe tek përmendorja e Ibrahim Rrugovës.

Mes tyre ka qenë edhe kreu i AKR, Behxhet Pacolli, i cili pritet të marrë së shpejti mandatin zyrtar si president i Kosovës.

“Kontributi i Rugovës është i papërshkrueshëm, s’mund të përkufizohet. Ai ka krijuar themelin e shtetit të Kosovës dhe falë punës së tij ne jemi sot të pavarur dhe të respektuar nga miqtë tanë perëndimorë”, ka deklaruar Pacolli.

I pranishëm në këtë ceremoni ka qenë edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i cili ka vlerësuar veprimtarinë e presidentit të ndjerë.

Pavarësia e Kosovës u shpall më 17 shkurt të vitit 2008 dhe deri tani ajo është njohur si shtet sovran nga 75 vende të botës.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta